Futboll

Derbi i Italisë, maestro Pirlo në “provim” te Konte

Inter-Juventus, derbi i Italisë, luhet sot në mbrëmje në “San Siro”. Një ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat, që pretendojnë titullin në Serinë A. Interi vjen në këtë ndeshje me 4 pikë avantazh (37) nga Juventusi (33), por me një ndeshje më shumë se bardhezinjtë.

Interi do të tentojë të kapë Milanin kryesues dhe t’i japë një goditje të fortë një rivali direkt. Maestro Andrea Pirlo ka një “provim” të vështirë sot, ndeshet me ish-trajnerin e tij Antonio Konte, nga i cili, siç e ka pohuar edhe vetë, ka mësuar shumë. Të dy luajnë me skemën 3-5-2 dhe mbetet të shihet se kush do të bëjë zgjedhjet e duhura për këtë sfidë.

Nga një ndeshjes mes Interit dhe Juventusit. Gazeta Si, 17 janar 2021

Juventusi vjen në këtë transfertë me shumë mungesa. Të padisponueshëm për dëmtime dhe Covid-19 janë De Ligt, Dibala, Kuadrado dhe Aleks Sandro, që të gjithë lojtarë me peshë për Juventusin. Në krahun tjetër, Konte e grupin më të kompletuar para kësaj ndeshjeje. Trajneri i Interit pritet të aktivizojë Vidalin titullar në qendër dhe Jang në të majtë të mesfushës, por alternativë është edhe Perisiç. Në sulm do të jetë dyshja e zakonshme Lukaku-Lautaro Martinez.

Pirlo pritet që në mbrojtje t’i besojë treshes Danilo-Bonuçi-Kielini, në mesfushë do të luajnë Rabiot, Bentankur dhe Ramsei në qendër, dhe Kieza e Frabota në krahë. Ronaldo dhe Morata do të jetë dyshja e sulmit. Ndeshja është e vlefshme për javën e 18-të të kampionatit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë