Ka ndodhur

Balluku: Po punohet që rrjeti i rrugëve të mbetet funksional

Ministria e Infrastrukturës bënë me dije se, rreshjet e dëborës kanë mbuluar tashmë gjithë zonën juglindore, ndërsa në akset rrugore borëpastrueset dhe mjetet e tjera të kompanive të mirëmbajtjes janë në aktivitet me kapacitet të plotë për të mbajtur në funksion rrjetin rrugor.
Gjatë inspektimit në segmentin rrugor Pogradec – Korçë, në Qafë Plloçë, një pikë e cila vazhdimisht shfaq problematika në sezonin e dimrit për shkak të lartësisë dhe terrenit të saj, drejtori i ARRSH u shpreh se “Parashikimi i motit na tregon që në mirëmbajtje ne duhet të jemi koherentë me kushtet atmosferike. Këtu aktualisht punojnë dy borëpastruese, që ndërrohen me njëra-tjetrën, janë rreth 20 punonjës, që janë dedikuar vetëm për këtë segment rrugor dhe më pas vijnë borëpastruset nga Qafë Plloça deri në Korçë. Gjithë zona e Korçës, përfshi këtu Korçë-Kapshticë, Korçë-Ersekë, rrugën e Voskopojës dhe rrugën e Dardhës, kanë reshje dëbore përgjatë gjithë natës. Jemi në gatishmëri dhe kemi dalë në inspektime të herë pas hershme kur ka kushte ekstreme të motit për t’ju ndenjur pranë kontraktorëve dhe për t’i udhëzuar për vazhdimin e punimeve”
350 mjete dhe afro 1 mijë punonjës janë angazhuar aktualisht në të gjithë vendin për të garantuar vijimin e qarkullimit normal të automjeteve në të gjitha akset e vendit, ndërkohë që ka ende kapacitete, në mjete dhe burime njerëzore, të cilat do të përdoren nëse do të ketë një përkeqësim të mëtejshëm .
“Rëndësi ka që të gjithë rrjetet rrugore të jenë funksionale, të kenë sa më pak zona të cilat të jenë sensitive, pavarësisht të gjithë punës që po bëhet. Në këto momente ne jo vetëm i kemi hapur akset rrugore, por edhe i kemi kriposur ato. Nuk duhet të harrojmë faktin që këto janë rrugë të rrëshqitshme për momentin, kështu që të gjithë drejtuesit e automjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar”- tha ministrja Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë theksoi se mirë menaxhimi i deritanishëm i situatës është si rezultat i masave të marra më herët, duke bërë që sot problematikat të jenë minimale, teksa garantoi që në terren do të vijojë puna deri në normalizimin e plotë të situatës.
“Të gjithë duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm. Të gjitha kompanitë kontraktore, të cilat mirëmbajnë rrugët në Republikën e Shqipërisë dhe është diçka që duhet ta theksojmë, janë duke punuar më mirë se kurrë. Kemi një organizim dhe një përgjigje shumë të mirë nga të gjithë kontraktorët. Kontratat janë bërë ashtu siç duhet dhe ne tani sapo kemi bërë të gjitha kontratat e reja”, nënvizoi Balluku.
Ajo u drejtoi një apel edhe drejtuesëve të automjete. “Ne po bëjmë të pamundurën, por kemi nevojë që bashkëpunimi nga ana e tyre të jetë maksimal, për të pasur sa më pak aksidente dhe për të pasur zero jetë të humbura, që është dhe synimi jonë tek punojmë ditë e natë për të plotësuar gjithçka që duhet në rrjetet rrugore shqiptare”, deklaroi Balluku.
Sa i takon situatës në veri të vendit, për shkak të reshjeve të pakta ka pasur një përmirësim të lehtë të situatës, ndërkohë që kompanitë kontraktore dhe grupet e punës së ARRSH ndodhen në terren. Me angazhimin edhe të forcave të ushtrisë po vijon puna për hapjen e rrugës së Thethit, ku për shkak të reshjeve të dendura trashësia e dëborës ka arritur në gati 2 metra, duke sjellë edhe vonesa për hapjen e këtij segmenti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë