Përmendja nominalisht e Francës gjatë kritikave që Edi Rama i ka adresuar Bashkimit Europian për mungesën e shpërndarjes së vaksinave për Ballkanin Perëndimor ka nxitur reagimin e Ambasadës Franceze në Tiranë.
Ambasada i ka adresuar një letër Ministrisë së Jashtme, Kryeministrisë dhe Zyrës së BE-së në Tiranë ditën e premte më 15 janar, si reagim ndaj deklaratave të Edi Ramës të bëra mbrëmjen e së enjtes gjatë një interviste televizive.
“Franca do të arrijë qëllimin e saj për 1 milionë njerëz të vaksinuar në fund të janarit, Kryeministri ngriti pyetjen pse Franca duhet të ketë një stok vaksinash që nuk mund t’i përdorë, në vend që t’i ndajë me të tjerët. Përveç natyrës së pavërtetë të këtij informacioni, por që mund të jetë shumë i ndjeshëm për mendjet e njerëzve, kjo ambasadë konsideron se nuk është e përshtatshme të sulmosh në këtë mënyrë nominative, një vend mik dhe aleat”, thuhet në deklaratën e Ambasadës.
Ambasada i ka dalë në mbrojtje edhe Bashkimit Europian, që Rama e akuzoi si cinik dhe egoist sa i takon vaksinës anti-Covid.
“Kjo ambasadë kujton se çdo vit, Bashkimi Europian është donatori më i madh në Shqipëri me më shumë se 100 milionë euro, në sektorë të ndryshëm. Lidhur me pandeminë, Komisioni Europian njoftoi më 8 janar se portofoli global i BE-së prej 2.3 miliardë dozash nuk ishte vetëm për BE, por edhe për vendet fqinje. Financimi u sigurua për vendet e Ballkanit Perëndimor me 70 milionë euro nga programi IPA”, thuhet në reagim.
Kryeministri Edi Rama e ka qortuar disa herë Bashkimin Europian në lidhje me shpërndarjen e vaksinave anti-Covid, por vetëm mbrëmjen e së mërkurës përmendi emrin e Francës nominalisht. Pak ditë më parë kritikat e Ramës i ka komentuar edhe Ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca.
Ai tha BE e ka mbështetur Shqipërinë në këtë drejtim, por se Shqipëria nuk kishte paraqitur një plan vaksinimi e për këtë arsye nuk ishte ndihmuar me doza.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.