Ka ndodhur

Reagon Spitali “Shefqet Ndroqi”: Akt i papërgjegjshëm i sanitares, hetimet deri në fund

Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, ka reaguar pas skandalit që doli dje në media për  sanitaren që kishte marrë 8 milion lekë një vajze, duke i premtuar se do të ndërhynte që e ëma të merrte shërbim të mirë spitalor, e më pas kishte ndërruar jetë.

“Gjithë personeli shëndetësor i spitalit “Shefqet Ndroqi” ndjehet tejet i lënduar, befasuar nga veprimi korruptiv, ç’njerëzor i sanitares dhe dënon me forcë këtë akt të paligjshëm, korruptiv i bërë publik në emisionin investigativ ‘STOP’,” thuhet në deklaratën e spitalit.

Sipas vajzës që denoncoi rastin sanitarja Tire Alldërvishi i ka marrë lekët, duke i premtuar se do i shpëtonte të ëmën nga koronavirusi, por që nuk i kishte dhënë as bukë për të ngrënë. Në reagimin e tij, spitali Covid-2 dënon ashpër ngjarjen dhe shton se autoritetet duhet të kryejnë hetimin e rastit deri në fund.

“Ky akt i shëmtuar dhe i papërgjegjshëm nuk mundet kurrsesi të njollosë punën vetëmohuese dhe të jashtëzakonshme të personelit shëndetësor të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Personeli shëndetësor i spitalit duke u distancuar nga ky veprim do të vazhdojë të ofroj me përkushtim shërbimin shëndetësor në kohë dhe me cilësi. Mbas shkarkimit nga puna e sanitares i kërkojmë autoriteteve kompetente të kryejnë hetimin deri në fund të këtij rasti. Personeli i shërbimit shëndetësor ‘Shefqet Ndroqi’”, thuhet më tej  në reagim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë