Ka ndodhur

Gjenden 7.8 kg drogë në makinë, arrestohet shoferi dhe pasagjeri

Policia e Kurbinit në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponja” ka finalizuar operacionin policor të koduar “Skuraj” në të cilin u sekuestruan 7.8 kg lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa.

Nga ky operacion u arrestuan dy persona.

Policia thotë se janë vënë në pranga shtetasit A. F., 36 vjeç, banues në Lezhë dhe F. M., 32 vjeç, banues në fshatin Skuraj, Kurbin.

Në fshatin Skuraj, Kurbin, policia ka identifikuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar tip “Benz”.

“Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin me drejtues shtetasin A. F. dhe pasagjer shtetasin F. M., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 7.8 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa. Në vijim të veprimeve është bërë bllokimi i mjetit dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. F. dhe F. M”, thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë