Ka ndodhur

Konflikt për një pallat, plagoset biznesmeni, dorëzohet autori

Është dorëzuar në Policinë e Tiranës biznesmeni Albert Allmuça, pas plagosjes me armë zjarri të ortakut të tij, Sino Llanaj, mëngjesin e sotëm.

Mësohet se biznesmeni Allmuça është paraqitur në komisariat pas ngjarjes dhe ka thënë se nuk ka qenë i pranishëm, në momentin kur është plagosur Llanaj.

Nga ana e tij, 42-vjeçari i plagosur me dy plumba në këmbë i ka thënë policisë se autori i plagosjes është pikërisht Allmuça.

Dy biznesmenët Llanaj dhe Allmuça kishin prej kohësh konflikt për një pallat, të cilin kishin nisur ta ndërtonin bashkë, por që prej një viti kishte ngecur puna.

Biznesmeni Sino Llanaj u plagos me armë mëngjesin e kësaj të mërkure në Tiranë.

Ngjarja ndodhi pas një përplasje mes dy pronarëve të një objekti në ndërtim, përkatësisht Sino Llanaj dhe Albert Allmuça, të cilët kanë shkuar në vendngjarje të shoqëruar me persona të tjerë.

Nga përplasja me armë mbeti i plagosur biznesmeni Llanaj, si dhe një kalimtar i rastit, shtetasi Klodian Komino, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, i plagosur me sende të forta ka mbetur edhe roja i objektit, Shkëlzen Biberi.

Dy pronarët Llanaj dhe Allmuça kishin rënë dakord për ndërtimin e objektit brenda vitit 2019, por kontrata mes tyre ishte prishur dhe objekti nuk është ndërtuar, duke sjellë probleme jo vetëm mes dy biznesmenëve, por edhe me banorët, që vijojnë të jetojnë me qira.

Vetëm katër ditë më parë ka pasur një konflikt fizik mes dy pronarëve dhe banorëve, të cilët kërkojnë ndërtimin e pallatit sipas kontratës.

Ndërkohë, ditën e sotme ka qenë investitori Sino Llanaj fillimisht në objekt, bashkë me disa shoqërues, dhe më pas ka shkuar edhe pronari Allmuça, edhe ai me disa persona të tjerë. Pas konfrontimit fizik, ka pasur të shtëna nga grupi Allmuça, ku është plagosur biznesmeni Llanaj dhe kalimtari.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë