Kryeministri Edi Rama, bashkë me kryetarin e Bashkisë Vlorë, Dritan Leli, dhe ministren e Infrastrukturës Belinda Balliku kanë inspektuar situatën në Vlorë, pas ditëve të përmbytjeve.
Kryeministri u shpreh se është bërë punë e madhe për të rregulluar kanalizimet në qytetin jugor dhe po mbyllen 3 projekte që kanë të bëjnë me përmirësimin e kanalizimeve.
“Duhet të mbyllet cikli i kanalizimeve, në rast se nuk ka reshje shumë intensive. Reshjet intensive përmbyt edhe Parisin. Në Vlorë kemi 3 projekte akoma, që do mbyllin gjithë ciklin. Reshjet në këta ditë ishin test se çfarë progresi është bërë për mbrojtjen nga uji në territor. Janë pastruar shumë kanale. Problem ishte fryrja e Vjosës. Duhen hequr kënetat.”- u shpreh ai.
Kreu i bashkisë Vlorë Dritan Leli tha se në bulevard, investimi ka funksionuar dhe po funksionon. “Skuadra jonë po punon në bulevard. Ne po mbarojmë situatën problematike në Skelë dhe problematikën që shkaktohet nga reshjet në bulevardin “Ismail Qemali”. Kemi pastruar më shumë se 50 për qind e kanaleve kulluese në territorin e Bashkisë Vlorë.”- tha Leli.
Ai bëri me dije se “Do të vendosim bokse betoni, që do të ndërpresin ujërat. Gjashtë vjet më parë, sistemi i kanalizimeve ishte kalbëzuar, ndërsa sot sistemi i kanalizimeve është llogaritur nga inxhinierët.”
Ministrja Balluku tha se me fondin e akorduar, nis nga puna edhe vendosja e bokseve të betonit, që të marrë fund përmbytja e çdo mënyre. “Një fond tjetër është përgatitur sa i përket ujësjellësit.”- tha ajo.
Ne po përpiqemi të bëjmë gjithçka me kapacitetet që kemi sigurisht, vijoi kryeministri, por “ Duhet durim që të bëhen të gjitha. Të fundit kanalizime kanë qenë në vitet 1980, pastaj nuk ka pasur më në demokraci. Ujë në Vlorë do ketë 24 orë në ditë, që të jemi të saktë.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




