Ka ndodhur

Apartament, tokë e shoqëri tregtare, sekuestrohet pasuria e Klement dhe Eldi Çalës

Prokuroria e Elbasanit ka vendosur sekuestro preventive për disa pasuri që buronin nga Klement Çala dhe i vëllai Eldi Çala teksa hetimi është bazuar mbi “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Në total janë sekuestruar një apartament 50 m2 në emër të Pullumb Çalës, dhe ndërtesë 1 kat me sipërfaqe mbi 167 m2 në Kusarth të Elbasanit, në emër të Eldi Çalës dhe Elida Çalës. Arë 809 m2 në Kusarth në emër të Alkond Bengasit, Esunela Qevanit dhe Alert Qevanit si dhe 50% të kuotave të Eldi Çalës në një shoqëri tregtare.

“Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka regjistruar në datë 02/07/2019 procedimin penal Nr. 1285 për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal, pa autor, mbi bazën e akteve hetimore të referuar nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Elbasan.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan ka regjistruar po ashtu në datë 06/09/2019 procedimin penal Nr. 1676, për veprat penale të parashikuara nga nenet 180 e 287 të Kodit Penal, pa autor, mbi bazën e akteve hetimore të sjellë nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan. Ky procedim penal lidhet me veprimet e kryer nga shtetasi Dritan Ekmekçiu, në kuadër të elementeve të veprave penale të parashikuara nga nenet 180 e 287 të Kodit Penal. Ky shtetas ka hyrë në marrëdhënie financiare të dokumentuar si dhe në marrëdhënie qiraje të padokumentuar me shtetasin Pullumb Çala, i ati i shtetasit Klement Çala”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas Prokurorisë gjithçka ka nisur nga një procedim penal i 6 shtatorit të 2019, me Dritan Ekmekçiun që ka hyrë në marrëdhënie financiare të dokumentuara dhe qiraje të padokumentuara me Klement Çalën dhe babain e tij, Pëllumb Çalën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë