Ka ndodhur

Grabitja në Korçë, familjarët përleshen me 3 personat e maskuar

Një grabitje banese është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në qytetin e Korçës. 3 persona të maskuar dhe të armatosur kanë shkuar për të grabitur në banesën e një biznesmeni (kambist) në lagjen numër 1, por gjatë kohës që janë futur në banesë janë përballur me rezistencën e familjarëve.

Për pasojë është lënduar pronari i shtëpisë Shefqet Muço dhe njëri prej grabitësve, duke përfunduar të dy në spital.
Dy të tjerët kanë mundur të arratisen. Policia ka mbërritur në vendngjarje, ndërkohë që mësohet së kjo është hera e 4 që kjo familje grabitet.

Dy grabitësit që u larguan kanë mundur të marrin një sasi parash me vete, ndërsa tjetri që mbeti i plagosur nga përleshja është në spital, nën arrest tashmë.
Ndërkohë, një banor i lagjen Nr.1 në rrugën e “Bilbilave” në Korçë ka rrëfyer momentet e përleshjes së grabitësve me kambistin të cilit i vodhën paratë me forcë.

Kanë qenë 3 persona të cilët nën kërcënimin e armës grabitën kambistin Sh.M. përpara banesës së tij. Ky i fundit u konfliktua fizikisht me grabitësit, ndërsa njërin prej tyre arriti ta kapte. Në ndihmë të tij dolën edhe banorë të tjerë të kësaj lagjeje.

Ndërkohë, njëri prej dëshmitarëve ka treguar se autorët ishin me armë. Ata madje kërcënuan kambistin dhe banorët e tjerë të lagjes që të lëshonin bashkëpunëtorin e tyre, të cilin e kishin kapur.

“Lëshoje ose do t’ju vrasim”, kërcënuan dy grabitësit e tjerë. Por kambisti refuzoi që ta lëshonte, ndërsa të tjerët u larguan nga vendngjarja me makinë.

“E kishin kapur atë e kishin vënë poshtë, një nga ata hajdutët. E mbanin, u njoftua policia. E hoqëm ne këtë të zotin që i kishin marrë paratë. Paratë ia morën, i morën çantën. Armë kishte se i kishte parë e shoqja që i kishin treguar pistoletën. “Ose lëshoje ose ju vramë”, këta nuk e lëshuan. Vrae i tha, po nuk e lëshoj. Doli e gjithë lagjia, dolën 50 veta në ndihmë. Katër herë të tjera e kanë grabitur”, rrëfen dëshmitari.
Nuk dihet ende shuma e parave që kanë marrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë