Bashkia e Shkodrës vijon të mbetet ndër zonat më të prekura nga përmbytjet që kanë përfshirë ultësirën perëndimore të vendit prej disa ditësh.
Prefektura e Shkodrës ka bërë një bilanc të fundit sa i takon situatës së përmbytjeve në qarkun ë Shkodrës. Mësohet se në total nën ujë janë 1823 ha, teksa në Obot vijon të mbetet e pakalueshme rruga pasi lartësia e ujit ka arritur deri në 80 cm. Problem vijon gërryerja e nga lumi Drin në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, fshati Bërdicë e Sipërme dhe nga lumi Kir në vendin e quajtur Bardhaj, fshati Bardhaj.
“Nga monitorimi periodik në terren ditën e sotme datë 11.01.2021,ora 08.30, situata e përmbytjeve në terren vazhdon të jetë si më poshtë:
• Hidrometri në Dajç në orën 08.30, shënon kuotën 6.36m.(Kuota max 6.30 m)
• Hidrometri i Liqenit të Shkodrës në orën 08.30,shënon kuotën 8.58 m.(Kuota max 8.70 m)
• Hidrometri i lumit Drin në orën 08.30,shënon kuotën 7.05m. (Kuota max 7.50 m)”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, lumi Shkumbin po kthehet në shtrat, por rreziku s’ka kaluar ende.
Qarku i Elbasanit vijon të jetë problematik. Në dy shkolla, në Labinot Fushë dhe në Gramsh nuk ka nisur mësimi.Në lumenjtë Shkumbin e Devoll ka prurje të konsiderueshme si edhe Përroi i Zaranikës. Problem ka edhe në disa zona ku ka mungesë të energjisë elektrike.
Në fshatrat, Perlat dhe Hamallaj të njësisë së Sukthit të Bashkisë së Durrësit dhjetëra hektarë toka bujqësore janë në ujë. Shkak është bërë mospastrimi i kanaleve, çka ka çuar në përmbytje të kësaj zone. Ndërkohë në fshatrat e Fushë-Krujës, është tërhequr gjatë natës uji në arat e përmbytura. Niveli i ujit ka rënë ndjeshëm dhe sot nuk ka banesa të rrethuara nga uji, por vijojnë të jetë të përmbytura disa sipërfaqe tokë bujqësore.
Situata e përmbytjeve paraqitet e qetë në qytetin e Korçës. Reshjet e rëna gjatë natës nuk kanë sjellë probleme. Megjithatë, disa zona kanë mungesë të energjisë elektrike.
Në Vlorë, situata paraqitet e qetë ku fatmirësisht nuk ka sipërfaqe dhe banesa të përmbytura. Prefektura raporton se ka një rritje të nivelit të ujit në lumin Vjosë, por nuk përbën problem.
Reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje edhe në disa zona të Kosovës. Autoritetet në Kosovë vijojnë të jenë në gatishmëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




