Politike

Projekti i rrugës Vlorë-Orikum, Panariti: Denaj të përmbushë detyrimet

Drejtori i Kabinetit të Presidencës, Edmond Panariti, doli në një deklaratë për mediat, për të kundërshtuar qëndrimet e paradites se Ministres të Financave Anila Denaj lidhur me projektin e rrugës Vlorë-Orikum.

”Ministrja e Financave u shpreh se për marrëveshjen me Fondin Saudit të Zhvillimit nuk bëhet fjalë për detyrim të ri financiar, por për një rialokim parash nga një marrëveshje e mëparshme. Pyetja që shtrohet është, pse kërkohet të rinënshkruhet një marrëveshje e mëparshme, nëse bëhet fjalë për një rialokim fondesh. Si mund të cilësohet e njëjta marrëveshje, kur marrëveshja është zgjidhur me kërkesë të qeverisë me ligj të posaçëm.

Ministrja e di që marrëveshja e zgjidhur me ligj nuk ka fuqi juridike. Ligji kërkon në mënyrë eksplicite, që të negocioni, sigloni dhe miratoni. Vetëm më pas mund të nënshkruhet marrëveshja e re.

Ministrja pretendon se kjo nuk përbën detyrim. Pyetja është, në cilin nen të Kushtetutës ligji për marrëveshje ndërkombëtare dhe huamarrje e mbështesni këtë qëndrim”, tha Panariti. Ai i kërkoi ministres Denaj që të përmbushë detyrimet, pasi sipas tij, Meta nuk mund të bëhet palë në shkelje.  

Më herët, Ministrja e Financave Anila Denaj tha se nuk bëhet fjalë për një detyrim të ri financiar për Shqipërinë jashtë shpenzimeve buxhetore. Pra nuk është një hua e re me terma të reja, por transferimin i huasë së ratifikuar në parlament për një objekt tjetër infrastrukturor në të njëjtin qark me argumentin se studimi i leverdisshmërisë për projektin e mëparshëm, doli më i lartë në vlerë se sa shuma e huasë së miratuar. Prandaj, në bazë të ligjit dhe Kushtetutës, tha ministrja, nuk ka pasur nevojë për negocim me Presidentin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë