Një tjetër artist humb jetën nga Covid-19. Mesditën e këtij fillimjanari mbyll sytë përgjithmonë në moshën 57-vjeçare artisti i njohur, Kujtim Prodani, duke humbur betejën me virusin e pabesë, të cilin ai vetë do ta konsideronte si një flamë.
Këngëtari i mirënjohur prej javësh po luftonte me virusin dhe ishte prej disa ditësh në intubim te spitali “Shefqet Ndroqi”.
Lajmin e infektimit nga Covid-19, ai do ta jepte vetë përmes një postimi në Facebook me anë të një fotoje nga shtrati i spitalit me maskë oksigjeni ku shkruante se kjo flamë ka marrë shumë miq.
“Sa miq e sa të afërm na more, o flamë e keqe! Klinika ‘Shefqet Ndroqi’”, shkruante kantautori.

Kujtim Prodani është këngëtar i njohur që i ka kënduar dashurisë, Tiranës e jetës dhe autor i 57 teksteve këngësh.
Më 29 prill të vitit të shkuar ku të gjithë ishim të përfshirë nga pandemia ai vjen me këngën “Ju flet korona”, një këngë që pasqyronte më së miri melankolinë e njeriut, prej mendimit që edhe dashuria, ajo e një përqafimi, apo puthje mund të lëndojë.
Një këngë që na përball me trishtimin, ndërsa ndihej mungesa e ecejakeve, rrugicave të qytetit, e pemëve natyrës si dhe e zhurmave të bezdsshme.
Por, Prodani ka një karrierë të gjatë muzikore:
Në nëntor 2003, Kujtim Prodani merr pjesë në Kënga Magjike 2003 dhe që prej atëherë aktiviteti i tij artistik nuk është ndaluar për asnjë çast.
Në dhjetor 2018, Kujtim Prodani merr pjesë në Festivali I 57-Të Në Rtsh me këngën “Babela”. Prodani rikthehet pas shtatë vitesh mungesë me një baladë pop me karakter narrativ, muzikuar prej tij dhe me tekst të Agim Xhekës, të titulluar “Babela”.
“Kush nuk ka ngacmuar shoqen e bankës në klasë të tetë, nuk ka kuptuar asgjë nga tetëvjeçarja”, do ta përshkruante kantautori mesazhin e këngës.
Më datë 25 Maj 2019, Kujtim Prodani publikon videoklipin “Mikesha”.
Më 31 tetor 2019, Kujtim Prodani publikon videoklipin “Xhelozia”, në bashkëpunim me Sajmir Çilin.
Në vitin 2020, Kujtim Prodani publikon albumin “Prodan”. Ndërsa në shkurt 2020, Kujtim Prodani publikon videoklipin “Hej mik”.
Prodani është djali i artistëve të mirënjohur, Anita Take dhe Agim Prodani.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



