Politike

Denaj i përgjigjet Metës: Qeveria në rregull me ligjin, s’ka hua të re. Po pengoni zhvillimin

Ministrja e Financave Anila Denaj ka sqaruar edhe një herë publikun e i është përgjigjur presidentit Ilir Meta në lidhje me transferinmin e fondeve për projektin infrastrukturor në qarkun e Vlorës.

Denaj theksoi që në krye të herës se nuk bëhet fjalë për një detyrim të ri financiar për Shqipërinë jashtë shpenzimeve buxhetore. Pra nuk është një hua e re me terma të reja, por transferimin i huasë së ratifikuar në parlament për një objekt tjetër infrastrukturor në të njëjtin qark me argumentin se studimi i leverdisshmërisë për projektin e mëparshëm, doli më i lartë në vlerë se sa shuma e huasë së miratuar. Prandaj, në bazë të ligjit dhe kushtetutës, tha ministrja, nuk ka patur nevojë për negocim me Presidentin.

“Ministria e Financave dhe  Ekonomisë ka ndjekur me përpikmëri hapat e nevojshëm juridik që ndiqen për procesin e huamamrrjes në Republikën e Shqipërisë. Proceset e huamarrjes për financimin e projekteve që sjellin zhvillim dhe përfitime për qytetarët dhe rajonet në të gjithë Shqipërinë janë një praktikë 30 vjeçare të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë. Presidneti i Republikës është informuar me dy shkresa në lidhje me procesin e huasë, termin negocim dhe arsyet e ndryshimeve të kërkuara. Në frymë të transparencës dhe informimit si obligim institucional ndaj publikut dhe banorëve të zonës që janë pjesë e ndryshimeve infrastrukturore, sqaroj përsëri: Nuk bëhet fjalë të marrjes përsipër të një detyrimi financiar të ri për Republikën e Shqipërisë, jashtë parashikimeve buxhetore dhe termave financiarë të rakorduar më parë”- sqaroi Denaj.

Sipas saj, ky është një rialokim i një detyrimi të siguruar më parë nëpërmjet një marrëveshjeje ndërkombëtare të ratifikuar në kuvend me ligj të veçantë,

Ajo që kërkohet të arrihet, vijoi sqarimin ministrja, është që  me të njëjtin fond dhe burim financiar të siguaruar në bazë të ligjit dhe kushtetues të zhvillohet një tjetër vepër në të njëjtin qark, që është dakordësuar në gusht me palën saudite pa ndryshuar termat financiarë si maturimi dhe interesat, e as shuma.

“Kjo dakordësi në muajin gusht i hapi rrugën dy proceseve paralele; së pari fillimin e procesit për të ratifikuar në parlament këtë ndryshim, së dyti dhe si rrjedhojë anullimin e juridik të objekt-investimit të mëparshëm, i cili në termin juridik quhet denoncim marrëveshje dhe është ratifikuar në parlament në 17 shtator 2020. Ku qëndron rënia ndesh me kushtetutën? Në frymë? Në gërmë apo në qëllim? Në asnjë nga këto: Në qëllim dhe në frymë është lehtësisht i lexueshëm. Është një nevojë për të rritur investimet infrastrukturore, për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe nxitur zhvillimimn ekonomik. Në gërmë gjithashtu procedura është plotësisht ligjore, pasi rasti përbën zbatim të instrumentave ligjorë në funksion të qëllimit dhe interpretimit të bazuara në dispozita juridike korrekte”- u shpreh ministrja.

Mandej duke iu drejtuar zyrës së Presidentit, shpjegoi se “vetëm në kushtet kur projektmarrëveshjet e propozuara bartin parashikime të caktuara për të cilat institucionet përgjegjëse nuk janë dakord me kushtet bazë të marrëveshjes me partnerët ndërkombëtarë, vetëm në këto raste ngrihen grupet negociatore. Duke kërkuar në vazhdimësi lëshimin e autorizimimt të presidentit a kryeministrit në varësi”.

Ajo mori si shembull dy marrëveshje huaje që kanë ndodhur fill si rasti në fjalë i mbetur pezull dhe që janë firmosur sipas ligjit nga Presidenti Meta.

“Fakti që ligji 43/2016 nuk e konsideron konfirmohet edhe në rastin e marrëveshjeve të tjera, 4 syresh janë kaluar nga zyra e Presidentit dhe firmosur nga presidenti. Ligji nr 157/2020 për ratifikimin e marrëveshjes së huasë dhe BE-së për ndihmën makrofinanciare për Shqipërinë, është vepruar në të njëjtën mënyrë dhe Presidenti ka firmosur. 47/2020- hua shtesë Republika e Shqipërisë dhe Fondi i Kuvajtit për rehabilitimin e lumit Vlorë. Nuk ka qenë e nevojshme negocimi. Kjo shkresë konfirmon sërish firmën e Presidentit në përputhje të plotë ligjore siç edhe këtë rast e kërkojmë prej disa muajsh”- tha Ministrja Denaj.

Ajo bëri me dije se bisedimet me Presidentin do vijojnë sipas ligjit dhe protokollit përmes shkresave duke i kërkuar atij të veprojë në të njëjtën rrugë dhe të mos pengojë procesin e zhvillimit.

Ministrja Denaj bëri me dije se Projekti i ri ekonomik është gati, Fondi i Zhvillimit është gati të transferojë fondin.

Një ditë më parë Presidenti Meta akuzoi qeverinë se në thyerje të ligjit anashkaloi Presidentin në negocimin për marrëveshjen e huasë.

“Qartazi përfaqësues të qeverisë gënjyen në kuvend se do të vijonin projektin, por me fonde të tjera. Por vijoi me shpalljen e ligjit, madje i befasuar që qeveria nuk do kërkonte më hua, por do e bënte me fonde të brendshme”- do të thoshte një ditë më parë Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë