Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka depozituar sot në SPAK një tjetër kallëzim për kryebashkiakun e Tiranës, Erjon Veliaj, nënkryetarin Arbian Mazniku dhe Këshillin Bashkiak.
Në një prononcim për mediat, juristja e Aleancës, Adriana Kalaja deklaroi se kanë kallëzuar krijimin e shoqërisë aksionare të ndërtimit, duke akuzuar Veliajn për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Sipas juristes, kjo shoqëri vepron kundër ligjit dhe se shmanget me këtë rast konkurrenca në treg. Në emër të Aleancës, Kalaja tha se kjo gjë e nisur në raport me ndërtimin e teatrit të ri, është vepër penale.
“Ne e kemi parë si vepër penale. Nuk mund të krijosh në shoqëri aksionare për shërbime që nuk janë shërbime monopol siç është uji dhe dritat. Ajo që është me e papranueshme, që konsiderohet dhe nga ligji, si vepër penale, pasi njerëzit më të besuar të Veliajt janë vënë anëtarë të Këshillit të Administrimi, siç është nënkryetari Mazniku, apo dhe raste kur janë administrator. Kjo është e papranueshme. Shtetasi Redi Mola është anëtar i këshillit administrator të Ujësjellës kanalizimit. Për ne kjo është vepër penale. Kjo shoqëri është krijuar për interesa personale të Veliajt. Është bërë së pari për ndërtimin e veprave të ndryshme, kryesisht për ndërtimin e Teatrit të ri. Veprime të tilla kërkojnë që të shmangin procedurat e tenderimit që bëhen në raste të tilla. E kemi parë si hap korruptiv, prish balancat e tregut dhe konkurrencën dhe ofertën”, tha Kalaja.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar kërkon drejtësi pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar më 17 maj me vendim të Këshillit Bashkiak kërkon që të ndërtohet aty ku ishte dhe si ishte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




