Ka ndodhur

Vrasja e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames. Lihen në burg Shullazi, Ymeri dhe Rusi

Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në burg Indrit Rusin, Emiljano Shullazin dhe Viktor Ymerin.

Këta shtetas akuzohen për vrasjen e Klodian Saliut dhe Vajdin Lames në shkurt të vitit 2005.

Për këtë ngjarje është arrestuar në Kosovë edhe Indrit Taullai dhe Plarent Dervishaj në Dubai.

Ndërkohë që është në kërkim Lul Berisha, i cili është larguar nga Shqipëria 2 ditë më përpara se të lëshohej urdhri për arrestimin e tij.

Avokati i Lul Berishës dhe Indrit Rusit, Detar Hysi, shprehet se rezervon të drejtën për të folur me median për shkak të sekretit hetimor.

“Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, ka kryer hetime në funksion të procedimit penal nr.252 të vitit 2020. Hetimet e këtij procedimi penal kanë të bëjnë me dy ngjarje të ndodhura para 15 vitesh, autorët e të cilave nuk ishin zbuluar.

Më konkretisht bëhet fjalë për ngjarjen e ndodhur në datën 26.02.2005, ku rreth orës 22:00, në vendin e quajtur autostrada Tiranë – Durrës në drejtim të Tiranës, në segmentin rrugor Durrës – Maminas, në afërsi të fshatit Koxhaj është qëlluar me armë zjarri shtetasi K. Saliu, i cili po lëvizte me autoveturën e tij tip “Mercedes Benz”, ngjyrë gri me targë DR8907C. Nga këto goditje me armë zjarri ka mbetur i vdekur shtetasi K. Saliu, si dhe është plagosur shtetasi O. Truma, i cili ndodhej në automjet nën shoqërinë e viktimës. Ngjarja e dytë është ajo e datës 27.02.2005, ku rreth orës 23:50, si pasojë e një shpërthimi me lëndë plasëse, kanë gjetur vdekjen shtetasit V. Lame dhe A. Arsi. Ngjarja ka ndodhur në pallatin ku banonte viktima V. Lamaj, me adresë Kulla Nr.2, Lagja nr.9, rruga “Dervish Hima”, Tiranë”, thuhet në njoftimin e SPAK për arrestimin e tyre.

Hetimet e procedimeve të regjistruara për këto dy ngjarje ishin pezulluar për moszbulim të autorëve të veprës penale. Por Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rifilloi hetimet e këtyre procedimeve dhe pas regjistrimit të tyre në regjistrin e procedimeve penale ka vendosur bashkimin e tyre në një procedim të vetëm, ndërsa sot gjykata vendosi të lihen në burg.

Mbi ta rëndojnë veprat penale si “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake me pasoja të rënda”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Të tre emrat e lartpërmendur janë të njohur për drejtësinë. Indrit Rusi njihet si anëtar i bandës së Durrësit.

Emiliano Shullazi është një personazh i njohur për policinë kriminale në vend, por veçanërisht në kryeqytet dhe në Durrës. Në këto qytete ai ka qenë i dyshuar për aktivitete të ndryshme kriminale.

Po ashtu, e shkuara e Viktor Ymerit është tejet problematike, kryesisht në qytetin e Vlorës. Ai njihej edhe për miqësinë e ngushtë që kishte me Gazmend Brakën, i njohur ndryshe si Gaxhai, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm për të njëjtën ngjarje për të cilën Ymerit iu hoq burgimi i përjetshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë