Politike

12 miljet me Greqinë, Rama: Si u marrka deti me vendim Krishtlindje? S’negocioj interesat e vendit… pse shkojmë në gjykatë

Kryeministri Edi Rama nuk e tha një herë, por disa here teksa u pyet nga media, në konferencën e fund vitit, lidhur me marrëveshjen me Greqinë për Detin se zgjerimi me 12 milje është i pamundur fizikisht në rastin me Shqipërinë ndaj dhe çështja do të shkojë në gjykatë.

“Ju kërkoni që ne të reagojmë ndaj shtetit grek. Për çfarë? E çfarë ka këtu akoma për të mos u kuptuar?

Se unë besoj që çdo mendje normale mjafton të përqendrohet jo shumë por pak e kupton shumë qartë për çfarë bëhet fjalë.

Ata të cilët i fryjnë këtij zjarri janë të qëllimshëm, qoftë nga Lalzi qoftë nga Presidenca, qoftë nga Prishtina, janë të qëllimshme.

E kam vështirë të besoj që këta fryrës të këtij zjarri të jenë kaq të mangët nga mendja e kokës por kjo që bëjnë për mua është e qëllimshme. E qëllimshme për të luajtur me ndjenjat kombëtare, me ndjeshmëritë patriotike për të shfrytëzuar rastin që të krijohet një sebep për sherr e për t’i ndarë punët mes tradhtarësh e patriotësh si gjithmonë në mënyrën më të shëmtuar dhe të ulët të mundshme”, tha Rama.

Kryeministri nënvizon se, Shqipëria në 1990 ka bërë atë që sot po bën Greqia as më shumë e as më pak

“E kam shpjeguar se sipas konventës ndërkombëtare të detit, çdo shtet që ka dalje në det ka të drejtën të zgjerohet 12 milje përtej kufirit ekzistues, të njohur më parë, aty ku është e mundur thotë Konventa.

Shqipëria e ka ushtruar këtë të drejtë në 1990 me një dekret të presidiumit të kuvendit popullor dhe e ka depozituar ushtrimin e kësaj të drejtë në maj të 90 në Kombet e Bashkuara.

Nuk rezulton që Greqia në atë kohë të bëjë reagim e deklaratë, se është e drejtë e cdo vendi, të njëjtën gjë ka bërë edhe Greqia për detin Jon.

Deti Jon është shumë përtej pjesës tonë të Jonit, në pjesën tonë, mes të dyja vendeve, nuk ka mundësi fizike për tu shtrirë 12 milje të dyja vendet.

Eshtë e pamundur ndaj ne e kemi negociuar kaq kohë e ndaj do shkojmë në gjyq.

Nëse kjo do ishte kaq idiotikisht banale sa përshkruhet nga këta të pafe pa atdhe pa din e pa iman vetëm për të nxitur urrejtje e dëshpërim e për të krijuar një trazirë të radhës në funksion të zgjedhjeve, atëherë për cfarë kemi negociuar ne me Greqinë e për ca shkojmë në gjyq?”, tha Rama, duke shtuar se, “Cfarë t’i themi ne shtetit grek kur këtë e prodhon mendja e autoritetit më të lartë të Shqipërisë e ish autoritetit më të lartë të Shqipërisë, kam parasysh presidentin dhe ish presidentin? S’ka asnjë lloj lidhje me zonën e kontestuar mes nesh”.

“Këta janë autorët e marrëveshjes së 2009 mos harroni, hartuesit e firmosësit e asaj marrëveshje famëkeqe që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, që u refuzua të pranohej si e rrëzuar nga Greqia.

Ka qenë kërkesa jonë që në fillim kohë më parë për ta zgjidhur këtë punë me gjykata e s’donte pala greke, këto teoritë që pala greke është në avantazh në gjykatë këto janë dokrra, këtu jemi”, shtoi ai.

“Sa herë tështin apo kollitet dikush në Athinë këtu plas rrufa e madhe për arsye komplet të tjera nga fakti, nga thelbi dhe e vërteta, për arsye luftë për pushtet këtu, kaq e thjeshtë është kjo, nuk e di ca duhet të shpjegoj unë më shumë këtu.

O unë jam agjent turk që luftoj më Greqinë o jam agjent grek që luftoj me Turqinë…unë jam ai që jam, kryeministri i Shqipërisë që nuk negocioj në asnjë rast e për asnjë rrethanë të drejtat e shqiptarëve”, tha Rama.

“Sikur të kishte këtu një fije të vërtete e imagjinoni ca reagimi do kishte në nivel europian? E shikoni ca ndodh pak më tutje për një kontestim mes dy vendeve fqinje që ngrihet gjithë bota në këmbë? Si u merrka deti me vendim për Krishtlindje? Jam i pataksur nga niveli ZH në këtë debat i shumëkujt që përfshihet e nuk di ca thotë”

Kryeministri sqaroi gjithashtu se çështja me Greqinë s’ka lidhje me presidentin turk, Erdogan.

“Ore jeni këtu apo jo! Cila marrëveshje! Kjo nuk është marrëveshje e jona me Greqinë. Nuk ka, nuk ekziston. S’ka. Do shkojmë në gjyq, ndërsa e drejta e zgjerimit 12 milje është e drejtë universale e garantuar nga konventa. Ç’lidhje ka kjo me presidentin Rexhep Tajip Erdogan. Tani mos e ulni kaq nivelin! Kur e bëni ju imagjinoni të tjerët. I bini fyellit në të njëjtën vrimë kur tjetri thotë nuk ka. Ça është kjo?… “


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë