Politike

Reagimet për Kushtetuesen, Varhelyi: Lajm i shkëlqyer për Shqipërinë

Pas lajmit të rëndësishëm në lidhje me Gjykatën Kushtetuese kanë reaguar me radhë ndërkombëtarët, Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ambasadorja amerikane Yuri Kim, ambasadori gjerman Peter Zingraf dhe ambasadori i BE-së, Luigi Soreca.

Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi, ka shkruar: “Një lajm i shkëlqyer nga Shqipëria! Me emërimin e anëtarit të 6-të nga Presidenti, Gjykata Kushtetuese bëhet funksionale. Një arritje e rëndësishme për institucionet dhe njerëzit si pjesë e reformës në drejtësi. Kjo plotëson listën e kushteve për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare”.

Yuri Kim. Gazeta Si, 23 dhjetor 2020

Ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, e ka quajtur një lajm të madh emërimin e gjyqtarit Përparim Kalo si anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese. “Lajm i madh. Presidenti Meta ka dekretuar Përparim Kalon si gjyqtar të 6-të të Gjykatës Kushtetuese. Sapo Kalo të bëjë betimin nesër, do të ketë kuorum. Shqipëria do ta përmbyllë vitin 2020 me një Gjykatë Kushtetuese funksionale- pas gati 3 vitesh. Presidenti, KED dhe Parlamenti kanë një meritë të madhe!

Ky ishte një veprim urgjent nga udhëheqësit, në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias. Me një Gjykata Kushtetuese funksionale, Shqipëria tani plotëson kushtin për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. Ky është një hap gjigant përpara. Urime popullit të Shqipërisë! Le të vazhdojmë të ecim përpara”, – shkruan Kim në Tuiter.

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, ka theksuar se me funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese Shqipëria hedh hapin kryesor në plotësimin e kushteve për tryezën e parë me BE-në. “Sot Presidenti Ilir Meta ka dekretuar Përparim Kalo si Anëtari i 6-të i Gjykatës Kushtetuese. Z. Kalo do të betohet nesër nga Presidenti. Ky vendim shumë i rëndësishëm siguron tani funksionalitetin e plotë të Gjykatës.

Ne e përgëzojmë Presidentin, Parlamenti, KED dhe Institucionet e tjera për të dhënë një rezultat kaq të rëndësishëm, i cili është një arritje e konsiderueshme për Shqipërinë, qytetarët e saj dhe për reformën e drejtësisë. Ai gjithashtu përfaqëson një hap kryesor për të kompletuar listën e kushteve të nevojshme për të filluar së pari tryezën e parë ndërqeveritare për bisedimet e pranimit midis BE-së dhe Shqipërisë”, – shkruan Soreca.

Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf. Gazeta Si, 23 dhjetor 2020

Ambasadori gjerman, Peter Zingraf, e ka cilësuar gur kilometrik në konsolidimin e shteti ligjor bërjen funksionale të Gjykatës Kushtetuese. Ai shkruan: “Zgjedhja e sotme e z. Përparim Kalo si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese është një gur kilometrazhi në rrugën drejt konsolidimit të shtetit ligjor në Shqipëri. Falenderimi im shkon për të gjitha institucionet, që ditët e fundit bashkëpunuan në mënyrë konstruktive në interes të kësaj çështjeje.

Një gjykatë kushtetuese funksionale është kolonë qendrore në ekuilibrin institucional dhe ndarjen e pushteteve në Shqipëri. Gëzohem që në këtë mënyrë është përmbushur një kusht qendror prej konkluzioneve të Këshillit të Bashkimit Evropian në mars 2020 për zhvillimin e konferencës së parë të anëtarësimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë