Në një kohë kur vendet e Ballkanit po furnizohen me vaksina ndaj Covid-19, në vendin tonë nuk kemi një pasqyrë të qartë se si do të trajtohet situata.
Gjatë daljes së fundit të Komitetit Teknik dhe Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrja Ogerta Manastirliu tha se deri më tani është hartuar plani i vaksinimit dhe mendohet se vaksina do të jetë në vendin tonë gjatë 3 muajve të parë të vitit 2021.
Por në një kohë kur vendet e tjera do të fillojnë vaksinimin, Ministrja tha se përveç financimit në Covax, ende “jemi duke punuar me marrëveshje nëpërmjet BE apo drejtpërdrejt me prodhuesit,” duke theksuar kështu edhe një herë se nuk ka asgjë konkrete dhe të saktë se kur do të vijë vaksina në vendin tonë.

Por, në kohën kur vendi ynë përgatit vetëm skenarët, çfarë ndikimi ka në popullatë vonesa e vaksinës?
Eksperti i shëndetit publik Erion Dasho, tha për Gazetën “Si” se vaksina është pranuar botërisht si e vetmja masë që do të fusë në rrugëzgjidhje problemin e epidemisë së koronavirusit.
“Pra, nëqoftëse ne fillojmë të vaksionojmë në fillim personat me moshën mbi 60 vjeç dhe personelin mjekësor, natyrisht që ulim ndjeshëm numrin e humbjeve të jetëve pasi këta janë personat që humbin jetën më shpesh si pasojë e Covid-19. Në momentet kur ne arrijmë të vaksinojmë edhe pjesën tjetër të popullsisë duke arritur një mbulesë të paktën 70-80%, kemi siguruar atë që njihet si imuniteti i grupit dhe në këtë mënyrë parandalojmë përhapjen e mëtejshme të Covid-19,” shpjegon eksperti.

Ndërkaq Silva Bino, Shefja e Departamentit të Epidemiologjisë në IShP, në intervista të ndryshme ka folur se po vlerësohen skenarë të ndryshëm për zinxhirin ftohës apo ngrirës që u duhen vaksinave.
Sipas saj, kjo do të vlerësohet në bazë të vaksinave që do të marrim.
“Një skenar është për vaksinën e prodhuar nga Pfizer e cila kërkon të ruhet në minus 80 gradë celcius dhe për këtë nevojitet një investim për një infrastrukturë të re; skenari tjetër është për vaksinën e prodhuar nga kompania “Moderna” që kërkon më tepër investime; skenari i tretë është për vaksinën e prodhuar nga kompania “Astrazeneca” për të cilën Shqipëria i ka kapacitetet dhe duhen vetëm të ketë pak shtesa,” ka shpjeguar Bino.
Sipas Dashos, sa më herët të fillojë vaksinimi, kuptohet, aq më mirë është, pasi kemi përfitime ekonomike, sociale dhe shëndetësore.
“Për këtë arsye, asnjë shtet nuk është kursyer kur ka pasur mundësinë për të nisur vaksinimet sa më herët. Nëqoftëse ne e lëmë popullatën të pavaksinuar, kuptohet se do të kompensojmë me masa kufizuese duke dëmtuar ekonominë dhe jetën sociale, do të kemi përsëri raste infektimesh të reja, sëmundjeje dhe humbje jete,” thekson ekperti.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje