Kosova

Miftaraj: Vendimi i Kushtetueses ka një hile të madhe, Albin Kurti s’mund të kandidojë për deputet

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ia bën të pamundur Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj-Bujupit, Faton Topallit e shumë të tjerëve që ishin dënuar për vepra penale dhe me kusht, të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Miftaraj, përmes një postimi në Facebook, tha se ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka “një hile të madhe”.

“Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli e shumë tjerë të dënuar për vepra penale edhe me kusht nuk do të mund të kandidojnë në zgjedhjet që do mbahen në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese e ka një hile të madhe”, ka shkruar Miftaraj.

Në aktvendimin e Gjykata Kushtetuese me të cilin është hedhur poshtë vota e deputetit Etem Arifi,e cila ishte vendimtare për zgjedhjen e Qeverisë Hoti më 3 qershor, thuhet gjithashtu se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, “nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”.

Gjykata e Apelit la në fuqi në shtator 2018 dënimet e gjykatës  së shkallës së parë ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Albin Kurti, Donika Kadaj-Bujupi, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli. Gjykata Themelore në Prishtinë, në janar 2018, i kishte shpallur fajtorë katër deputetët e Kuvendit të Kosovës, për dy veprat penale, atë të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm dhe për pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, veprime këto që lidhen me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015. Albin Kurti ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm, kurse për veprën penale të pengimit të personit zyrtar është dënuar me gjashtë muaj burgim. Ndaj tij, është dhënë dënimi në total prej 1 vit e gjashtë muaj burgim me kusht. Dënimi me burgim nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepër të reja penale brenda 2 vjetësh. Aktakuza ndaj tyre nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, është ngritur më 16 dhjetor 2015.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë