Një i ri që ka telashe kriminale me policinë, i ka habitur agjentët me justifikimin e tij, pasi ata i trokitën në derën e shtëpisë. “Ju po më paragjykoni, po më arrestoni pasi në të kaluarën kam qenë problematik dhe shpresoni që çdo ngjarje ta kem kryer unë”. Kështu ka deklaruar M.S , një person i dënuar dhe me herët për vjedhje dhe që së fundmi policia sërish është e bindur se ai u përfshi në një grabitje. Por i riu këmbëngul se e kanë ngatërruar dhe se nuk është ai autori i vjedhjes së një telefoni.
Burime të gazetës Si pranë drejtorisë vendore tregojnë se si u zbardh ngjarja për vjedhjen e një farmacie nga një hajdut që në fytyrë kishte vendosur maskë anticovid. I kthyer në një trend nga hajdutë që me maska anti-pandemi rrëmbejnë ç’të munden në rrugë, kjo situatë është kthyer po ashtu në një prioritet për policinë që për çdo rast ka urdhëruar kontrolle të imtësishme të kamerave të sigurisë.
Disa raste të këtyre ngjarjeve janë raportuar nga gazeta Si, ndërsa vjedhja më e fundit ndodhi në një farmaci, ku një person hyri dhe rrëmbeu një telefon dhe një laptop. Për këtë person për të cilin policia vendore është e bindur se është M. S përshkruhet më pas nga kamera të shumta sigurie si i veshur me atlete të zeza, me kapuç në kokë dhe me maskë anticovid në fytyrë. Denoncuesi jep detaje për hajdutin anticovid.
“Pasi njëri prej tyre hapi derën, kontrolloi dhe mori një telefon LC, pa numër telefoni brenda”. Kjo është ajo çfarë tregon kamera e sigurisë në rrugën Brigada VIII. Por ndërkohë sipas burimeve të gazetës Si pas këqyrjes së disa kamerave të sigurisë në afërsi të Pallatit me Shigjeta, kanë vërejtur një të ri, i cili sapo ka parë automjetin me fenelina policore ka shpejtuar ecjen. “I riu me kapuç në kokë u nxitua dhe për këtë arsye policia i bëri apel të ndalojë. Në çantën e supit kishte mjete hidraulike dhe një telefon. Nga krahasimi me kamerat e sigurisë rezulton se M. S është hajduti me maskën anticovid”, përshkruajnë burimet e policisë. Por pasi ai është shoqëruar në drejtorinë vendore pasi i është vendosur në dispozicion karta e të drejtave ka kundërshtuar arrestimin. “Po më paragjykoni ngase kam të kaluar kriminale. Nuk kam vjedhur asgjë. Mjetet në çantë janë pajisje hidrauliku, jam në kërkim të një pune, ndaj dhe shpejtova hapin. S’kam asnjë problem me policinë”. Por me gjithë këtë qëndrim, i riu nuk i ka shpëtuar prangosjes.
Përse maskat anticovid?
Burimet e policisë përsërisin se me udhëzimet që kanë marrë nga shefat e tyre, po i kushtohet rëndësi kontrollit të rrugicave në kryeqytet. Ky ndryshim masash sipas policisë vjen pasi shumë vjedhje dhe sulme për rrëmbim telefonash dhe varësesh po kryhen nga persona që mbajnë një maskë anticovid dhe në këtë mënyrë identifikimi i tyre është i pamundur. “Nga ajo që dëshmojnë të dëmtuarit në komisariat, veç maskës anticovid hajdutë të tillë vendosin kapele ose kapuç dimëror dhe kjo e bën të pamundur për të saktësuar detaje nga identikiti i një hajduti”, përshkruan një burim i gazetës Si, i cili përsërit apelin për qytetarët që të mos mbajnë sende të çmuara dhe telefonat mos t’i mbajnë në duar. “Të shmangin rrugicat pa ndriçim dhe të kenë kujdes nga persona që afrohen çuditshëm. Ai mund të jetë një hajdut”, apelon zyrtari i rendit gjatë intervistës për gazetën Si.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.