Ka ndodhur

Mijëra shqiptarë nga vendet e BE drejt Kosovës për festa, bllokohen në kufijtë e Ballkanit

Qytetarët e Ballkanit, që udhëtojnë nga Evropa Perëndimore, drejt vendit të tyre të origjinës për të kaluar festat e fundvitit, kanë krijuar radhë të gjata në kufijtë gjatë të shtunës. Këto udhëtime po ndodhin pavarësisht paralajmërimeve se do të vendosen masa të reja kufizuese kundër koronavirusit, që kanë për qëllim të ulin numrin e udhëtimeve gjatë Krishtlindjes dhe Vitit të Ri.

Radhë të gjata me vetura janë parë në kufijtë ndërmjet Sllovenisë dhe Kroacisë dhe po ashtu ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, teksa mijëra njerëz kanë pritur për orë të tëra për ta kaluar kufirin të premten dhe të shtunën.

Shumë njerëz nga shtete si Kosova, Turqia, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë e Hercegovina punojnë dhe jetojnë në vendet e Evropës Perëndimore. Ata tradicionalisht kthehen në shtëpi me vetura gjatë festave të fundvitit, por edhe gjatë pushimeve të verës.

Disa shtete të Bashkimit Evropian, që kanë komunitete të mëdha të punëtoreve migrantë, kanë vendosur masa të testimit të detyrueshëm për koronavirus dhe masa të izolimit sapo ata të kthehen nga vendet e tyre të origjinës, duke shpresuar se këto masa do të bëjnë që më pak njerëz të udhëtojnë gjatë ksaëj periudhe.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor në baza ditore raportojnë për numër të lartë të infektimeve dhe spitalet në mbarë rajonin janë të mbingarkuara me pacientë që kërkojnë ndihmë mjekësore. Vizitat e familjarëve që jetojnë jashtë vendit zakonisht bëjnë që njerëzit të kenë kontakte më të shumta gjatë ndejave familjare, që potencialisht, sipas ekspertëve, mund të bëjë që të ketë përhapje më të madhe të virusit.

Përveç radhëve të gjata të krijuara nga qytetarët që po nisen për pushimet e fundvitit, vonesa në kufi janë shkaktuar për shkak të vendimit të Serbisë, që t’iu kërkojë teste negative të koronavirusit, të gjithë qytetarëve që hyjnë në këtë shtet. Ata persona që hyjnë në Serbi dhe që nuk kanë test negativ, duhet të izolohen për dhjetë ditë.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Kosovës, thotë se për shkak të fluksit të madh të qytetarëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe masave të ndërmarra kundër koronavirusit, në kufijtë e shteteve të Ballkanit ka pritje të gjata deri në dhjetë orë.

Sipas MPJD-së, pritjet në kufirin Slloveni-Kroaci janë deri në dhjetë orë, ndërkaq në kufijtë mes Hungarisë dhe Serbisë janë deri në pesë orë.

Për shkak të numrit të madh të diasporës të Kosovës, që është nisur në vendlindje për pushimet e fundvitit, MPJD thotë se ka krijuar shtab emergjent brenda ambasadave të Kosovës që t’iu dalë në ndihmë shtetasve kosovarë që janë nisur drejt Kosovës.

Sipas MPJD-së, qytetarët që kalojnë transit nëpër territorin e Serbisë, për shkak të masave të reja që hyjnë më 20 dhjetor, ku do të kërkohet testi negativ për koronavirus, ata duhet ta lëshojnë territorin e këtij shteti brenda 12 orësh.

“Rritja e kontrolleve për shkak të këtyre masave pritet të ndikojë në shtimin e pritjeve në pikat kufitare në hyrje dhe dalje të Serbisë, për çka qytetarët tanë që kanë marrë rrugën drejt Kosovës duhet të jenë të informuar”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se vonesat në kufijtë e vendeve të Ballkanit po shkaktohen për shkak të kontrolleve të shtuara, pas masave të vendosura nga shtetet përkatëse kundër pandemisë së koronavirusit. (REL)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë