Dy persona janë arrestuar nga policia e Lezhës me akuzën për falsifikim dokumentesh.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar pranë DVP Lezhë, në bashkëpunim me forcën e posaçme ‘Shqiponjat’ në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se 2 shtetas që merreshin me veprimtarinë e paligjshme të falsifikimit të letërnjoftimeve dhe pasaportave po lëviznin me mjet nga Kukësi në drejtim të Tiranës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin e koduar “Falsifikatori”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në pranga kanë përfunduar shtetasit L. S., 27 vjeç dhe R. H., 39 vjeç, banues në Kukës.
Policia thotë se në hyrje të qytetit të Rrëshenit, shërbimet e Policisë së DVP Lezhë kanë evidentuar mjetin e dyshuar dhe kanë bërë ndalimin e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Ford Mustang” me drejtues shtetasin R. H. dhe pasagjer shtetasin L. S., shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 23 karta identiteti, 19 pasaporta dhe 23 leje drejtimi të shteteve të ndryshme, të dyshuara të falsifikuara.
Policia ka ushtruar kontroll edhe në banesën e këtyre shtetasve, ku përsëri janë gjetur letërnjoftime të tilla.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti “Ford Mustang”, pasaportat, kartat e identitetit dhe lejet e drejtimit të falsifikuara.
Materialet hetimore janë referuar për veprime të mëtejshme në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave dhe formularëve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



