Një rast i kontrabandimit në doganën e Qafë-Thanës është goditur sot, kur në pranga ka përfunduar doganieri Vladimir Bardhi, si dhe një qytetar tjetër Genti Jesku, 45 vjeç.
Ata u kapën pasi furgoni me drejtues këtë të fundit po kontrabandonte naftë, materiale ndërtimi e dy kuti me fruta.
Sa i përket doganierit Vladimir Bardhi, ai u arrestua për shpërdorim detyre pasi nuk ka kryer procedurën e zhdoganimit.
“Gjatë kontrolleve të ushtruara nga ana e shërbimeve të Policisë, në lagjen nr.1, Pogradec, në mjetin furgon tip ‘Benz’, me drejtues shtetasin G. J., iu gjetën e sekuestruan sasi me materiale ndërtimi, sasi nafte dhe dy kuti me fruta, të cilat ky shtetas i ka kaluar nga Pika e Kalimit Kufitar Qafë-Thanë, ku doganieri V. B., dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos kryer procedurën e zhdoganimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



