Ka ndodhur

Sherr për qiranë e stallës së derrave, vritet 41-vjeçari në Kuçovë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar sot në një fshat të Kuçovës, ku një person ka mbetur i vrarë me armë zjarri.

Krimi ndodhi mëngjesin e sotëm në oborrin e një lokali në liqenin e fshatit Goraj.

Policia bën me dije se një 44-vjeçar ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, 41-vjeçarin Ajet Guneli, pasi kishte debate të vazhdueshme dhe pretendonte se ai e ofendonte përditë.

Policia thotë se 44-vjeçari Vangjel Polovina është vënë në pranga. Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin tip furgon me të cilin autori tentoi të largohej, si dhe armën e zjarrit kallashnikov me të cilën dyshohet se ka kryer krimin.

Sipas policisë, viktima i kishte dhënë me qira një stallë derrash autorit të dyshuar, ndërsa për këtë fakt dhe kishin pasur konflikte, duke çuar në krimin e rëndë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon puna për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë