Policia e Tiranës ka vënë në pranga 7 shtetas për vepra të ndryshme penale.
Dy prej tyre janë arrestuar pasi kanë grabitur pasagjerët në autobusët e Tiranës.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. B., 38 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, pasi në Rrugën e Elbasanit, i ka vjedhur portofolin shtetasit D. A., në autobusin e transportit urban. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit P. M., 31 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Vjedhja”, pasi në rrugën “Kastriotët”, në autobus, i ka vjedhur portofolin shtetasit I. M”, thuhet në njoftimin e policisë.
“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”,“Vetëgjyqësia”dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasin S. LL., 45 vjeç, administrator i një firme në rrugën “Ndre Mjeda”, pasi ka vendosur me vetëgjyqësi 8 kamionë të tonazhit të rëndë duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit dhe portat hyrëse në kompleksin e ndërtimit të firmës. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. B., 29 vjeç, pasi në Rrugën e Dibrës, ka fyer dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj kunatit të tij, për motive të dobëta”, vijon më tej njoftimi.
Ndërsa specialistët e Qarkullimit Rrugor kanë arrestuar 3 shtetas pasi janë kapur në gjendje të dehur dhe pa lejen përkatëse.
Materialet iu dërguan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




