Pas pesë ditëve protesta ka reaguar zyrtarisht edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, përmes Klajda Gjoshës.
“Përgjatë 5 ditëve të protestave qytetare, Rilindja është hedhur në sulm për të përbaltur dhe shpifur ndaj Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe opozitës se ne paskemi paguar dhe keqpërdorur minorenët për të protestuar dhe për të përdorur dhunë.
Sot pushteti dhe Rilindja kërkojnë të mbulojnë vrasjen, dhunën shtetërore, dështimin dhe keq qeverisjen, nëpërmjet shpifjes dhe si gjithmonë gjetjes së fajit të palët e treta.
Sot në vend të pendesës dhe mbajtjes së përgjegjësisë, Edi Rama dhe vartësit e tij kërkojnë të dezinformojnë publikun dhe aktorët e tjerë, me qëllim devijimin e të vërtetës dhe realitetit të trishtë që ka pushtuar vendin”, tha Gjosha.
Për këtë arsye, LSI ka vendosur të padisë në Prokurori për shpifje dhe dezinformim, “të gjithë ata që me deklaratat e tyre kanë ushqyer opinionin publik më të pavërteta!”
“LSI beson fort te protestat paqësore qytetare si një mjet i rëndësishëm për demokracinë, si një mjet për t’u dëgjuar por edhe për të kërkuar llogari atyre që abuzojnë me pushtetin duke krijuar mjerim, varfëri dhe sot më shumë se kurrë, pasiguri për jetën…
Shpresoj shumë që kjo padi të shqyrtohet sa më parë nga Drejtësia, në mënyrë të paanshme, që vëmendja t’i rikthehet hetimit të plotë të asaj ç’ka ka ndodhur në këtë vend natën e së hënës datës 7 Dhjetor, ku nëpërmjet vrasjes së Klodianit është vrarë çdo shpresë e rinisë dhe çdo sakrificë çdo prindi”, tha ajo.
Sipas saj, vrasja e Klodianit nuk është çështje partiake, por e gjithë shqiptarëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




