Partia Demokratike është në një linjë me protestuesit e pesë ditëve në kryeqytet për largimin e Ardi Veliut nga detyra e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, por me një ndryshim jo thelbësor. Ajo kërkon pezullimin e tij deri në përfundim të hetimeve për një padi që kjo forcë politike ka depozituar të hënën në SPAK.
Partia Demokratike e paditi Ardi Veliun për 5 vepra penale, të kryera gjatë protestave të ditëve të fundit, pas vrasjes nga një efektiv i policisë të një të riu 25 vieçar.
Kërkesa e Partisë Demokratike i është drejtuar Prokurorisë së Posaçme, SPAK, që, sipas saj, duhet të kërkojë pezullimin e Ardi Veliut nga detyra deri në përfundimin e hetimeve.
Në padinë e dorëzuar në SPAK, Partia Demokratike thotë se, Ardi Veliu ka shkelur ligjin, duke kryer, sipas saj, të pesta veprat penale, si: 1) Shpërdorim i detyrës; 2)Kryerja e veprimeve arbitrare; 3) Pengimi në të drejtën për t’u shprehur, grumbulluar dhe manifestuar; 4) Dëmtime të tjera me dashje; 5) Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme.
Në padinë penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Partia Demokratike vë në dukje se “në protestat paqësore për të kundërshtuar frymën e represionit policor dhe të abuzivizmit qeverisës, është vënë re përdorim i tepruar i dhunës policore, përdorimi në mënyrë të çmendur i gazit lotsjellës. Ai është hedhur në sasi shumë të mëdha në Bulevard dhe në zonat rezidenciale me densitet të lartë qytetarësh, që nuk ishin pjesë e protestës”.
Ajo thotë gjithashtu se ka fakte konkrete se, “është ushtruar dhunë barbare ndaj të miturve”, si dhe “kanë ndaluar në mënyrë abuzive çdo njeri që lëvizte në rrugë, pa qenë pjesë e protestës”.
“Me anë të këtij kallëzimi, marrim përsipër të bëhemi përçues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë dhe që ende kanë shpresën se vetëm zbatimi i Ligjit do ta çojë drejt përsosjes shoqërinë tonë”- i drejtohet Partia Demokratike SPAK-ut, duke i kërkuar marrjen nën hetim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu dhe pezullimit të tij nga detyra.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




