Tre persona kanë mbetur të plagosur, pas një sherri me mjete të forta dhe mjete prerëse.
Policia e Durrësit bën me dije se 3 shtetas janë arrestuar si autorët e dyshuar të ngjarjes.
Mes të arrestuarve është dhe pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja në Ishëm si dhe gjobitet edhe me masë administrative, pasi nuk respektoi orarin për mbylljen e aktivitetit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Manzë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasit: A. K., 36 vjeç, Xh. K., 21 vjeç, banues në Ishëm dhe R.(G). A., 34 vjeç, banues në Sukth”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia thotë se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit Sh. I., dyshohet se kanë goditur me mjete të forta shtetasit D.(P). K., 55 vjeç dhe S. A., 62 vjeç, ndërsa shtetasi R.(G). A. ka goditur me mjet prerës (thikë), shtetasin E. K., 33 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
“Në vijim të veprimeve u arrestua në flagrancë edhe shtetasi Sh. I., 31 vjeç, banues në Ishëm (pronari i lokalit ku ka ndodhur ngjarja), për veprën penale “Moskallëzim krimi”, pasi nuk ka njoftuar Policinë për konfliktin e ndodhur në ambientet e lokalit të tij. Gjithashtu, nga shërbimet e Policisë i është vendosur masë administrative 1.000.000 lekë, pasi nuk ka respektuar orarin e vendosur për mbylljen e aktivitetit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




