Jete & Stil

Për herë të parë shfaqja në “La Scala” u transmetua si një përmbledhje televizive

Shtëpia e operës në Milano “La Scala” organizoi një shfaqje tre-orëshe me arie dhe balet, por këtë herë ndryshe. Shfaqja u transmetua si një përmbledhje televizive, një pjesë e regjistruar dhe një pjesë drejtpërdrejtë. Kjo sepse për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, hapja tradicionale e sezonit u anulua për shkak të Covid-19.

Me maska, anëtarët e korit dhe orkestrës interpretuan himnin kombëtar në një auditor të zbrazët që në vitet e tjera ishte i mbushur plot me personalitete.

Organizatorët e quajtën shfaqjen “A riveder le stelle” (“për të parë përsëri yjet”) duke iu referuar frazës përfundimtare në “Inferno” të Dante Alighierit, duke sinjalizuar shpresën se pandemia që ka sjellë në gjunjë ekonominë e Europës së shpejti do të kapërcehet.

“Kjo ishte një përvojë e jashtëzakonshme, por shpresoj të mos e përsëris”, tha dirigjenti Riccardo Chailly.

Italia mbylli teatrot dhe sallat e saj të koncerteve në tetor dhe kufizimet pritet të qëndrojnë të paktën pas sezonit të festave të Krishtlindjeve.

Me rajonin e Lombardisë përreth Milanos midis zonave më të prekura në Europë është ende e paqartë se si La Scala do të zhvillojë sezonin e saj të ri të planifikuar.

Në tetor, dhjetra këngëtarë dhe muzikantë të La Scala rezultuan pozitivë me virus, duke detyruar të gjithë anëtarët e korit të karantinohen së bashku me anëtarët e orkestrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë