3 persona kanë rënë në prangat e policisë së Kukësit, pasi akuzohen se kryenin aktivitet me kartëmonedha të falsifikuara.
Policia thotë se pas hekurave përfunduan shtetasit me inicialet Sh. J., 23 vjeç, U. B., 18 vjeç dhe B. D., 18 vjeç.
“Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit Sh. J., U. B. dhe B. D., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer aktivitet të shtrirë në periudha kohore dhe vende të ndryshme, në qytetin e Krumës dhe Kukësit, pranë pikave të karburanteve, marketeve dhe subjekteve të ndryshme tregtare, duke përfituar me anë shkëmbimit me kartëmonedha të falsifikuara, mallra dhe shërbime të tjera. Gjatë kontrollit të dokumentacionit të mjetit rezultoi se shtetasi Sh. J. drejtonte mjetin i papajisur me leje drejtimi”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjetet tip “Benz” dhe “Toyota”, 8 kartëmonedha me prerje 100 euro të dyshuara të falsifikuara, si dhe dy aparate celularë.
Ndërkohë, vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave” kryer në bashkëpunim dhe “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




