Në një analizë vjetore nga grupi mjedisor Break Free From Plastic u mblodhën pothuajse 350,000 copë plastike nga 55 vende, duke zbuluar se produktet e Coca-Colas, përfshirë markat Fanta dhe Sprite, ishin plastika më e zakonshme e gjetur.
Copat plastike që kishin markën e Coca-Colas u gjetën në të gjitha vendet përveç katër nga 55 vendet e inspektuara dhe gjithsej ishin 13.834 copë mbeturina plastike. Mbetjet plastike të Coca-Colas ishin më shumë se totali i kombinuar nga marka e dytë dhe e tretë më të zakonshme të gjetura, përkatësisht Nestle 8,633 mbetje dhe PepsiCo 5,155 mbetje.
“Greenpeace” një fushatë nga Azia Juglindore tha se nuk ishte për t’u habitur që këto marka janë ndotësit më të mëdhenj tre vjet me radhë.
“Këto kompani vazhdojnë të investojnë në zgjidhje të rreme ndërsa bashkohen me kompanitë e naftës për të prodhuar edhe më shumë plastikë,” tha Abigail Aguilar, Koordinatori Rajonal Greenpeace në një njoftim për shtyp.
Për të ndaluar këtë rrëmujë dhe për të luftuar ndryshimin e klimës, Coca-Cola, PepsiCo dhe Nestle duhet t’i japin fund varësisë së tyre ndaj paketimeve plastike dhe të largohen nga lëndët djegëse fosile.
Të martën e shkuar, aktivistët e Greenpeace protestuan jashtë selisë së Nestle në Zvicër. Ata kishin ndërtuar logon e markës ku shihet një zog në fole por e kishin mbushur folenë me mbeturina plastike.

Break Free From Plastic kërkoi ndihmën e 15,000 vullnetarëve lokalë për të vëzhguar mbetjet plastike të gjetura në plazhe, parqe dhe në rrugët e qyteteve në vende duke përfshirë Kolumbinë, Korenë e Jugut, Tanzaninë dhe Spanjën. Nga 346,494 copë mbetje plastike të mbledhura, 63% u shënuan me një markë të identifikueshme. Më shumë se 5,000 marka të ndryshme u identifikuan në auditim.
Emma Priestland, koordinatorja tha se plastikat njëpërdorimshe të cilat përdoren më pas hidhen, mbeten një shqetësim i madh.
“Ne kemi nevojë për të ndaluar prodhimin e plastikës, për të hequr dorë nga përdorimi i vetëm dhe për të zbatuar sisteme të fuqishme, të standardizuara të ripërdorimit,” tha ajo.
Ajo tha se kompanitë më të mëdha ndotëse në botë pretendojnë se po punojnë shumë për të zgjidhur ndotjen plastike, por përkundrazi ata po vazhdojnë të nxjerrin paketime të dëmshme plastike. Coca-Cola, Pepsi dhe Nestle duhet të jenë udhëheqëse në gjetjen e zgjidhjeve reale.

Një zëdhënës i Coca-Cola i tha The Independent se kompania ishte ‘duke bërë përparim’ në lidhje me mbetjet plastike, duke përfshirë futjen e shisheve me 100% plastikë të ricikluar në 18 tregjet e saj.
“Globalisht, ne kemi një angazhim për të marrë çdo shishe mbrapa deri në vitin 2030, në mënyrë që asnjë prej tyre të mos përfundojë në oqeane dhe plastika mund të riciklohet në shishe të reja,” tha zëdhënësi.
Pepsi tha se paketimi nuk kishte “vend në mjedis”, duke shtuar se kompania po synonte të shkurtonte përdorimin e plastikës me 35% gjatë pesë viteve të ardhshme.
“Ne kemi një qasje shumëplanëshe për të drejtuar progresin e menjëhershëm dhe afatgjatë siç është zvogëlimin e plastikës që përdorim, rritjen e normave të riciklimit dhe ndërtimin e një ekonomie për materialin e ricikluar,” tha një zëdhënës për The Independent.
Nestle ende nuk ka dhënë komente për raportin. Prodhimi i plastikës vjen me një kosto të madhe mjedisore. Prodhuar nga lëndët djegëse fosile, produktet plastike prodhohen, shpërndahen dhe blihen nga konsumatorët. Edhe me përpjekjet e riciklimit, tone të mëdha mbetjesh plastike vazhdojnë të përfundojnë në deponi, oqean ose një incenerator. Sipas të dhënave të përfshira në Break Free From Plastic, vetëm 9% e plastikës së prodhuar ndonjëherë është ricikluar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



