Pas shortit në Zvicër kanë folur edhe trajnerët e skuadrave rivale të Shqipërisë. Trajneri i Anglisë, Gareth Sauthgejt, është përqendruar te historia e Polonisë dhe Hungarisë. Ai iu referua në fakt eliminimit të Anglisë nga Polonia në 1973-shin dhe fitores 6-3 të Hungarisë së Pushkashit në “Uembli”.
“Polonia ka skuadër të mirë. Hungaria u fut në grupet e para të Ligës së Kombeve dhe u kualifikua në “EURO 2021”. E dimë se ç’duhet të bëjmë, jemi përballur shumë herë me polakët dhe ka pasur shumë histori në ato ndeshje. Po ashtu, edhe me hungarezët kemi pasur histori. Do të jenë ndeshje të ndërlikuara, jo të lehta. Hungaria ka arritur rezultate të mira vitet e fundit.

Ata do të përpiqen të luajnë mirë me ne dhe të na mundin. Duam të kualifikohemi për në Katar. Kam qenë aty kur luajti Liverpuli në Botërorin e Klubeve. Do të luajmë në stadiume të mrekullueshme”, – tha Sauthgejt në konferencë shtypi, ku gazetarët nuk i drejtuan asnjë pyetje për Shqipërinë dhe skuadrat e tjera.
Kurse trajneri i Polonisë, Jerzhi Brzheçek, mes të tjerash ka pohuar se Shqipëria është një kundërshtar i sikletshëm. “Jemi në një grup mestar, nuk është grupi më i vështirë. Po ta shohim realisht, Anglia është favorite kryesore. Me siguri edhe Hungaria ka një ekip interesant, por edhe Shqipëria është një kundërshtar aspak komod.
Në teori, Andorra dhe San Marino janë kundërshtarët më të lehtë, por do t’i paralajmëroja të gjithë të mos kenë vetkënaqësi. Kujtoj që si futbollist ndaj San Marinos kemi fituar 1-0, pasi Jan Furtok shënoi një gol me dorë. Duhet gjithmonë kujdesh”, – u shpreh trajneri i polakëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




