Kombetarja

Lorik Cana: Vendi i dytë s’është utopi, duhet dëshirë dhe pjekuri

Ish-kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, mendon se vendi i dytë në Grupin I të eliminatoreve të “Katar 2022” është i arritshëm nga Kombëtarja jonë, edhe pse pranon se është mjaft e vështirë. Sipas Canës, Shqipëria ka një organikë të pësur lojtarësh dhe, nëse ata tregojnë dëshirën dhe pjekurinë e duhur, mund të bëjnë diçka të mirë në këto eliminatore.

“Vendi i dytë nuk është utopi. Ne kemi treguar se kemi mundësi për të bërë gjëra të mira, ia kemi dalë edhe në raste më të vështira. Anglia dihet çfarë kombëtareje është, Polonia mbetet një siguri, ka një lider si Levandovski, i cili po udhëheq skuadrën. Hungaria është kualifikuar për në Europian, po rilind falë disa yjeve. Sigurisht, nuk do të jetë e lehtë. Nëse kalojmë Poloninë ose Hungarinë, është fantastike. Vendi i dytë do të ishte diçka tepër e mirë, por është e vështirë.

Lorik Cana, kur luante me Kombëtaren. Gazeta Si, 7 dhjetor 2020

Ne duhet të kemi besim, kemi lojtarë që kanë arritur një lloj pjekurie. Po shohim edhe lojtarë të rinj që po afirmohen në klube të mëdha. Na duhet të formojmë një brum prej 25-26 lojtarësh për t’u fokusuar pastaj drejt rezultatit. Kemi mundësitë tona, nuk e di sa mund të pretendojmë kualifikimin, por me dëshirë të madhe, me lojtarët që duhet të sjellin përvojën e tyre nga klubet ku luajnë dhe me një pjekuri që duhet ta tregojmë në momentet e para, kemi mundësi për të bërë shumë mire”, – theksoi Cana për “Supersport”.

Ish-mbrojtësi foli edhe për suksesin që arriti skuadra Kombëtare kur ai ishte kapiten i saj: “Kishte disa vite që ishte formuar grupi, erdhi një trajner që u përshtat mirë dhe i mori më të mirën atij grupi. Kombëtarja u shndërrua në një simbol bashkimi, simbol i zërit të shqiptarëve. Pjesa teknike dhe cilësore është kryesorja, por dëshira për të përfaqësuar gjithë kombin na dha një stimul për të arritur diçka historike.

Lojtarëve të sotëm u duhet pak kohë për të arritur një mentalitet fituesi, por është ulur pak mbështetja e masës për ekipin kombëtar. Kosova ka rrugëtimin e vet. Duhet t’i menaxhojmë lojtarët dhe t’u japim mentalitetin e duhur, që të japin më të mirën në Kombëtare. Grupi i Kosovës? Spanja mbetet favorite, pastaj është Suedia, shpresoj që Kosova të lërë poshtë Gjeorgjinë dhe të përballohet denjësisht me Greqinë. Nuk është e pamundur t’i lërë dy kundërshtarë poshtë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë