Shqipëria e vlerëson të suksesshme Presidencën e OSBE-së, pavarësisht vështirësive që dolën përgjatë këtij viti të vështirë të mbizotëruar nga pandemia dhe kufizimi i lëvizjeve.
Kryeministri Edi Rama mbajti fjalën përmbyllëse në ministerialin e kësaj organizate, që këtë vit u zhvillua online. Rama tha se mungesa e përvojës në të tilla nivele të diplomacisë nuk e stepi Shqipërinë nga vendosja e objektivave të mëdha, që sipas Kryeministri, i realizoi me sukses.
"Gjithçka ishte kundër nesh, krizë përmbi krizë, por nuk hoqëm dorë. Pandemia na pengoi rrugën, por ne ia dolëm. Shqipëria mori më shumë përgjegjësi se çdo vend tjetër. Ky ishte një vit tejet sfidues, por Shqipëria pati një debutim dinjitoz në krye të OSBE", deklaroi Rama.
Kreu i Qeverisë njoftoi edhe ambicien e radhës të Shqipërisë në arenën diplomatike ndërkombëtare; një ulëse në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
“Objektivi ynë i ardhshëm është Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Këtu përfundon rrugëtimi i kryesimit tonë. Ka qenë një vit plot sfida. Do t'i garantojmë gjithkujt që do të qëndrojmë pranë jush si pjesë e Trojkës për t'ju ndihmuar sa më shumë mundemi", u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.