Policia e Tiranës ka goditur një tjetër rast të veprimtarisë kriminale në fushën e shfrytëzimit të prostitucionit dhe përshtatjes së ambienteve për prostitucion.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, pasi kishin siguruar të dhëna në rrugë operative se në rrugën “Don Bosko” disa shtetase shfrytëzoheshin për prostitucion nga menaxheri dhe pronari i një qendre masazhi, kanë organizuar punën për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të këtyre shtetasve”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka vënë në pranga menaxherin e qendrës së masazhit, Kliton Shuli, 28 vjeç, banues në Tiranë, si dhe u shpall në kërkim pronari i kësaj qendre, shtetasi Ernest Shkreli, 23 vjeç.
Sipas policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, rekrutonin femra nëpërmjet rrjeteve sociale, me pretendimin për t’i punësuar si masazhatore dhe më pas i detyronin ato që t’iu ofronin klientëve të qendrës së masazhit edhe shërbime seksuale. Klientët e kësaj qendre bënin pagesa për dy shërbime dhe përfitimet ndaheshin ndërmjet administratorit dhe punonjëseve që kryenin këto shërbime.
Ndërkohë janë proceduar penalisht edhe 4 shtetase të punësuara në këtë qendër, për veprën penale “Prostitucioni”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




