Ka ndodhur

Tentojnë të trafikojnë në Mal të Zi bomba me telekomandë, 2 në pranga në Lezhë

Policia e Lezhës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Distanca” dhe ka vënë në pranga dy persona, të cilët kanë tentuar të trafikojnë bomba me telekomandë për shpërthim në distancë.

Në pranga kanë rënë shtetasit Erol Çiçi, i dënuar më parë për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt; si dhe Mariglen Gruda, i dënuar më parë për vjedhje dhe prodhim e shitje narkotikësh.
Sipas policisë, këta shtetas u kapën në flagrancë në vendin e quajtur “Rrethrrotullimi i Shëngjinit”, në hyrje të qytetit të Lezhës.

Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia, në çantën e Mariglen Grudës janë gjetur dy bomba me mekanizëm shpërthimi në distancë nëpërmjet aparatit telefonik celular, ku njëra ishte me lëndë të dyshuar plasëse e llojit tritol dhe tjetra me lëndë të dyshuar si plasëse e llojit dinamit, të cilat dyshohet se do t’i trafikonin në drejtim të Malit të Zi.

Ndërkohë po vijojnë veprimet hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të paligjshme.

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive” kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë