Më 10 nëntor, Komiteti Teknik i Ekspertëve i propozoi Qeverisë që administrata publike, që nuk ofronte shërbime thelbësore për qytetarët dhe që mundësitë teknike ja lejonin, të punonte nga shtëpia.
Në të njëjtën ditë, Kryeministri Edi Rama njoftoi se Qeveria do të reflektonte përmes një vendimi këtë sugjerim të ekspertëve të Komitetit. Kryeministri tha se duke filluar prej datës 11 nëntor, administrata do të udhëzohej që të punonte nga shtëpia.
Por, çfarë ndodhi? Gazeta “Si” mund të konfirmojë se pjesa dërrmuese e administratës publike nuk po e zbaton vendimin e Qeverisë. Shkak, sipas burimeve të gazetës “Si” është interpretimi “evaziv” që i bëjnë VKM-së eprorët.
Fenomeni i moszbatimit të këtij urdhri shtrihet në të gjitha ministritë, nga Bujqësia e Mjedisi, deri tek Arsimi, Infrastruktura dhe dikastere të tjera. Drejtori dhe agjenci në varësi të këtyre ministrive kanë kaluar në “heshtje” vendimin për punën nga shtëpia.
“Ne kemi mundësi të punojmë nga shtëpia. E kemi bërë këtë në pranverë si drejtori. Puna ecte normalisht, pothuajse njësoj. Që vendimi i Qeverisë të zbatohet për ne, duhet një urdhër i brendshëm nga ministrja, ose drejtoria”, thotë për gazetën “Si” një punonjës në drejtorinë e sporteve në Ministrinë e Arsimit.
E njëjta situatë paraqitet edhe në Ministrinë e Bujqësisë. Punonjësit thonë se nuk ka mbërritur një urdhër i brendshëm për zbatimin e VKM-së që kërkon që administrata të punojë nga shtëpia.
“Janë disa detyra që fare mirë mund të bëhen edhe nga shtëpia pa asnjë problem, ose të paktën të na reduktojnë si numër personash në të njëjtin ambient”, thotë në kushte anonimati për gazetën “Si” një punonjës i Ministrisë së Bujqësisë.
Të njëjta denoncime mbërrijnë edhe nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit dhe dikastere të tjera të ekzekutivit. Edhe në pushtetin vendor problematika shfaqet thuajse e njëjtë.
Burime të gazetës “Si” thonë se vendimi i punës nga shtëpia për administratën është zbatuar në nivele të kënaqshme kryesisht në Bashkinë e Korçës dhe në Bashkinë e Matit, ku mbi 30 për qind e administratës punon nga shtëpia.
Përveç kësaj, Bashkia e Korçës, sipas burimeve të gazetës “Si” funksionon me grafik të personave që punojnë me prani fizike nga zyra, në përpjekje për të shmangur praninë e më shumë se dy personave në të njëjtin ambient.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




