Policia e Lezhës ka arrestuar autorin e plagosjes së 43-vjeçarit Hilë Gjini, mëngjesin e kësaj të marte.
Në pranga ka rënë shtetasi Gj. Gj., pas dy orësh ndjekjeje dhe kërkimesh, pasi ka plagosur fqinjin e tij, në sy të fëmijëve dhe bashkëshortes, për motive pronësie.
“Shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe armën e zjarrit tip ‘Pushkë’, me të cilën autori kreu plagosjen. Policia e Lezhës, menjëherë pas njoftimit të marrë për ngjarjen e ndodhur në fshatin Balldre, Lezhë, organizoi punën dhe falë reagimit në kohë dhe veprimeve të shpejta e profesionale bëri të mundur që pas dy orë ndjekjeje dhe kërkimesh, falë edhe mbështetjes së qytetarëve, të kapë në rrethinat e fshatit Balldre dhe të vërë në pranga shtetasin Gj. Gj., 69 vjeç, banues në Balldre”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, ky shtetas dyshohet se për motive pronësie ka plagosur në këmbë, me armë zjarri, 43-vjeçarin Hilë Gjini, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Strukturat hetimore të DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, po vijojnë punën për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




