Ka ndodhur

Sekuestrohen tri mjete me lëndë drusore në Tiranë, procedohen tre shtetas

Policia e Tiranës vijon zbatimin e planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Gjatë një aksioni të fundit janë kapur duke transportuar lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës 3 shtetas, ndaj të cilëve ka nisur procedimi penal, si dhe janë sekuestruar 3 mjete me lëndë drusore.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4, në zbatim të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në rrugën e Dajtit, disa persona po transportonin lëndë drusore pa dokumentacionin përkatës, dhe në vijim të kontrolleve të ushtruara, konkretisht në guroren e ish-minierës, kanë konstatuar 3 automjete të ngarkuara me 12m3 lëndë drusore, për të cilën drejtuesit e mjeteve nuk dispononin dokumentacionin përkatës”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit S. H., 25 vjeç, E. M., 23 vjeç dhe L. C., 54 vjeç dhe materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë