Politike

Nisma “Thurje” shndërrohet në parti, pjesë edhe Rudina Hajdari

Drejtuesit e Nismës “Thurje” komunikuan zyrtarisht vendimin për t’u shndërruar në një forcë politike që do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit.

Endri Shabani, Pano Soko, Artan Koni, të tjerë aktivistë të Nismës dhe deputetja Rudina Hajdari zhvilluan pasditen e së shtunës një takim online me mbështetës të lëvizjes.

“Në 30 vite kjo klasë politike ka marrë gjithçka ka mundur duke dhënë pak ose aspak për shqiptarët e thjeshtë. Ata janë pasuruar e kanë avancuar me jetët e tyre, teksa shqiptari i thjeshtë ka mbetur në vend numëro”, tha deputetja Hajdari.

Endri Shabani, që u prezantua si drejtues i Nismës tha se qytetarët nuk i meritojnë ata që na kanë qeverisur për 30 vite.

“Çdo kriminel që qeveris sot në Parlament ta zëvendësojmë me një pedagog të aftë, që të kemi një Parlament që është i mbushur me njerëz të lirë dhe të aftë. Duam t’i rikthejmë legjitimitetin Parlamentit. Nuk jemi ne ata që mendojmë se Shqipëria nuk bëhet, ne mendojmë se Shqipëria bëhet nëse bëhen bashkë shqiptarët e ndershëm. Midis dy rrugëve sot kemi zgjedhur rrugën më të vështirë. Më mirë të humbasësh duke qenë në anën e drejtë të historisë sesa të shesësh shpirtin”, tha Shabani.

Fushata për mbledhjen e firmave të nevojshme për regjistrimin si subjekt politik pritet që të nisë duke filluar nga dita e martë me sloganet “Të Thurim Shpresën” dhe “Nuk jemi të varfër, jemi të vjedhur”.

Nisma “Thurje” ka nisur disa vite më parë si lëvizje qytetare, duke u vënë në qendër të vëmendjes sidomos për mbështetjen e dhënë ndaj naftëtarëve të Ballshit në protestat e tyre për vonesat në marrjen e rrogave dhe mbylljen e rafinerisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë