Policia e Kavajës ka vënë në pranga një të ri, pasi akuzohet se ka kërcënuar me vrasje përmes rrjeteve sociale një punonjës policie.
Policia bën me dije se është vënë në pranga shtetasi Ardit Saraçi, 24 vjeç, banues në Gosë, Kavajë, me precedentë të mëparshëm kriminal, pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale “Falsifikimi kompjuterik” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”. Arrestimi i tij është bërë pas një hetimi 6-mujor.
“Pas një hetimi 6-mujor, duke vlerësuar maksimalisht situatën kriminale të krijuar, Njësia e Hetimit të Krimeve Kibernetike ka kryer hetime të plota në lidhje me kallëzimin e marrë nga një punonjës policie i cili ndihej i kërcënuar në rrjetet sociale, për shkak të detyrës, nga një shtetas i panjohur”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia thotë se ky shtetas kishte hapur një numër të madh profilesh të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme. Nëpërmjet mesazheve që dërgonte nga këto profile të rrjeteve sociale kanoste në mënyrë të vazhdueshme punonjësin e policisë dhe familjarët e tij, për shkak të detyrës që ky punonjës kishte kryer.
Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtij shtetasi, në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një telefon celular i markës “Samsung”.
Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




