Ka ndodhur

Ndërron jetë nga Covid Patriarku i Kishës Serbe

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Patriarku Irinej ka ndërruar jetë si pasojë e Covid-19. Ai ishte shtruar në një spital në Beograd që prej datës 4 tetor.

Dy ditë më parë, Kisha Ortodokse Serbe doli me një deklaratë duke thënë se gjendja e Patriarkut Irinej ishte e qëndrueshme.

Mbetet e paprovuar, por dyshohet fort se Patriarku Irinej është infektuar me Covid gjatë ceremonisë së varrimit të Metropolitit Amfilohije në Mal të Zi më 1 nëntor.

Metropoliti i Malit të Zi vdiq nmë 30 tetor si pasojë e Covid. Patriarku Irinej udhëhoqi liturgjinë në ceremoninë e varrimit të tij, ku morën pjesë mijëra besimtarë.

Protokollet e sigurisë në këtë ceremoni nuk u respektuan. Në varrim ishte i ekspozuar arkivoli i hapur me trupin e mitropolitit, priftërinjtë, shumica e besimtarëve, si dhe disa politikanë nuk vunë maska dhe as nuk respektuan distancën fizike. Kjo shkaktoi reagimin e autoriteteve shëndetësore malazeze, që e cilësuan si shkelje flagrante të protokolleve kundër përhapjes së Covid.

Irinej u zgjodh në postin më të lartë në Kishën Ortodokse Serbe, në Janar të vitit 2010.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë