Ka ndodhur

Bashkia Kukës kallëzon ish-kryetarin Bashkim Shehu për shpërdorim detyre

Bashkia e Kukësit ka kallëzuar në SPAK ish-kryetarin e Bashkisë, Bashkim Shehu.

Në kallëzimin penal, kreu aktual i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici thotë se paraardhësi i tij ka shpërdoruar fondet publike për nevoja personale dhe elektorale.

Sipas Gjicit shkeljet janë konstatuar nga auditi i brendshëm i bashkisë Kukës, auditimi i jashtëm i Ministrisë së Financave dhe ai i KLSH.

“Shkeljet dhe mosrespektimet e ligjit në fushën e prokurimit publik dhe të fushës së menaxhimit financiar publik te kryera ne periudhën 2017-2018, konstatuar nga Drejtoria e Inspektimit Financiar, pranë Ministrisë se Financave në muajin Prill 2020.​ Nga ana e bashkisë Kukës, gjatë vitit 2017-2018 dhe konkretisht nga ish-Kryetari i Bashkisë dhe Drejtori i Financës, të cilët me dashje dhe me qëllim, kanë shpërdoruar (pa dokumentacion justifikues ose ne disa raste justifikuar me dokumentacion fiktiv), rreth 600,000 USD për blerje nafte. Ka dyshime të arsyeshme se ky karburant është përdorur kryesisht nga ish-Kryetari i Bashkise z. Shehu, në shkelje të plotë të ligjit pasi përdorimi i tij është bërë me qëllim furnizimin e mjeteve të transportit në interes dhe në mbështetje të fushatës elektorale të Partisë Demokratike”, shprehet Gjici në një deklaratë për mediat.

Ndër të tjera në njoftimin për mediat thuhet se “Drejtoria e Auditimit të Brendshëm pranë Bashkisë Kukës, ka përfunduar auditimin në Bashkinë Kukës, për veprimtarinë e institucionit nga data 01.07.2017 deri më 30.06.2019, ku ka konkluduar ndër të tjera se:

Bashkia Kukës, nuk ka marr masa për miratimin nga Thesari përpara fillimit të procedurave të prokurimit, dhe mos raportimin e saktë dhe në kohë të angazhimeve dhe shpenzimeve buxhetore. Gjithashtu strukturat përgjegjëse të Bashkisë Kukës (ish-Titullarit/Kryetarit të Bashkisë), megjithëse në dijeni të shkeljeve nga Autoriteti Kontraktor, si në rastet e shkeljeve të afateve të regjistrimit të angazhimeve dhe shpenzimeve, nuk ka marrë asnjë masë administrative konkrete për të disiplinuar procesin, në përputhje me aktet ligjore në fuqi.

Ndërkohë këto struktura kanë kontribuar në krijimin e mundësive për kapërcimin e kontrolleve si në rastin e mos regjistrimit të planit buxhetor sipas Programi Buxhetor Afatmesëm (PBA), lejimit të regjistrimeve të fragmentarizuar të urdhër-prokurimeve, kontratave, dhe faturave në Sistemi Informatik Financiar i Qeverisë (SIFQ), për shkak të mungesës së fondeve buxhetore disponibël.

Po ashtu është hartuar dhe miratuar shtesë regjistri “Regjistri i Parashikimit të Prokurimeve Publike”, edhe këto shtesa rezultojnë të pakonfirmuara nga dega e thesarit.

Si pasojë vetëm nga bashkia, Kukës për këtë periudhë kohore është akumuluar një borxh rreth 20 000 000 $. Një shumë kjo tepër e konsiderueshme për një bashki të vogël, e cila ka një buxhet modest si dhe referuar faktit se me këto para thuajse nuk është bërë asgjë për komunitetin në këtë bashki.

“Po ashtu gjatë auditimit u konstatuan shkelje dhe parregullsi të dispozitave ligjore në fushën e prokurimit publik, dhe të fushës së menaxhimit financiar publik, kryesisht në:

– Përzgjedhjen e procedurës së prokurimit.

– Administrimit të dokumentacionit fizik.

– Mungesën për të marrë vulën e konfirmimit të fondeve disponibël në Degën e Thesarit përpara se të fillojë procesin e tenderimit.

– Kualifikikim dhe shpalljen fitues pa të drejtë të operatorëve ekonomik të cilët nuk plotësojnë kriteret e vendosura në DST, duke mos garantuar kryerjen me cilësi e sukses të kontratës, me pasojë përdorim të fondeve publike për investime, pa ekonomicitet, efiçencë dhe efektivitet në vlerën totale 1,645,591,090 lekë, në kundërshtim me kërkesat ligjore si dhe në shkelje të parimit të barazisë para ligjit”, vijon më tej njoftimi i bashkisë.

Sipas Gjicit, po ashtu edhe KLSH në kontrollin e kryer në vitin 2017, ka konstatuar shkelje flagrante të trajtuara me hollësisht në kallëzim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë