Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 50-vjeçare, ndërsa ka shpallur në kërkim ish-bashkëshortin e saj, pasi në një servis gjetën 1.2 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar si kokainë.
Policia thotë se në sajë të operacionit policor “Stacioni”, është vënë në pranga Vera Preka, 50 vjeçe, banues në Ishull, Lezhë.
Gjithashtu u shpall në kërkim ish-bashkëshorti i saj, shtetasi D. M., 52 vjeç, banues në Ishull, Lezhë, i dënuar më parë për vjedhje, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
“Mbi bazën e informacioneve të siguruara së në Ishull, Lezhë, këta shtetas posedonin lëndë narkotike, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë në servisin në pronësi të shtetasit D. M., që ishte i përshtatur si banesë për ish bashkëshorten shtetasen V. P. Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 1.184 kg lëndë të dyshuar kokainë dhe një peshore elektronike”, thuhet në njoftimin e policisë.
Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




