Ka ndodhur

Vëllezërit vlonjatë sherr me policinë, përfundojnë në pranga

Policia e Vlorës ka arrestuar dy vëllezër dhe ka proceduar në gjendje të lirë vëllain tjetër, pasi nuk i janë bindur urdhrit për të ndaluar, duke kundërshtuar me dhunë efektivët.

“Shërbimet e Policisë, pas informacioneve të marra në rrugë operative se në rrugën ‘Ismail Qemali’, pranë parkut ‘Aulona’, lëvizte një shtetas i dyshimtë, kanë ushtruar kontroll në këtë zonë dhe kanë konstatuar një shtetas që kishte ngjashmëri me përshkrimin e dhënë, i cili shoqërohej edhe nga dy persona të tjerë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në momentin që shërbimet e Policisë i kanë dhënë urdhër për të ndaluar, shtetasi A. Xh. ka kundërshtuar urdhrin e tyre. Gjatë shoqërimit të shtetasit A. Xh. për në Komisariat, punonjësit e Policisë janë kundërshtuar me dhunë nga vëllezërit e tij, shtetasit F. Xh. dhe Xh. Xh.

Policia bën me dije se janë vënë në pranga shtetasit F. Xh., 25 vjeç dhe Xh. Xh., 29 vjeç, banues në Lushnjë, për veprën penale “Kundërshtimi me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, si dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin A. Xh., 21 vjeç, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë