Kombetarja

UEFA zgjedh një arbitër rumun për Shqipëri-Bjellorusi

Shqipëri-Bjellorusi është një ndeshje rivalësh direkt, që vendos për kreun e grupit 4 në Ligën e Kombeve. Kjo ndeshje e rëndësishme, ku kuqezinjve u duhet vetëm fitorja për të parakaluar bjellorusët, do të gjykohet nga rumuni Radu Petresku, me ndihmës Radu Ginguleaç dhe Mirçea Grigoriu, kurse Marsel Birsan do të jetë arbitër i katërt.

Petresku ka 8 vite që mban stemën e FIFA-s. Në karrierë ka më shumë se 300 ndeshje, por një pjesë e vogël e tyre janë të nivelit ndërkombëtar. Rumuni 38-vjeçar ka gjykuar 2 ndeshje eliminatore Europiani, 16 ndeshje në Ligën e Europës dhe 6 ndeshje kualifikuese në Ligën e Kampioneve. Gjatë sezonit aktual ka nxjerrë 4 kartonë të kuq, 2 në derbin e Bukureshtit dhe 2 në Ligën e Europës, në ndeshjen mes Bazelit dhe Anorthosisit.

Petresku, arbitri 38-vjeçar nga Rumania. Gazeta Si, 16 nëntor 2020

Për Shqipërinë është pozitiv fakti se është një arbitër ballkanas dhe e njeh më mirë temperamentin tonë. Ndeshja me Bjellorusinë zhvillohet të mërkurën, në orën 16:00, në “Air Albania Stadium”. Kuqezinjtë e kanë vetë në dorë fatin e tyre, mjafton të mundin Bjellorusinë dhe kapin vendin e parë në grup, me 11 pikë. Trajneri Reja ka një mungesë të madhe në këtë sfidë, Amir Abrashin, i skualifikuar për shkak kartonësh. Rikthehet ndërkohë nga skualifikimi mesfushori tjetër, Qazim Laçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë