Shqipëria kalon pengesën e parë drejt kreut të grupit të saj në Ligën e Kombeve. Kuqezinjtë kanë mundur 3-1 Kazakistanin në “Air Albania Stadium”, në një ndeshje ku kanë dominuar në pjesën më të madhe të kohës, por kanë pasur edhe ndonjë moment pasigurie. Gjithsesi, rëndësi kanë 3 pikët dhe tani e gjithë vëmendja kalon te finnalja me Bjellorusinë pas 3 ditësh. Kjo ndeshje me rivalin direkt, që ka 2 pikë më shumë (10 pikë), duhet fituar për ta mbyllur në vend të parë.
Sherif Kallaku ishte surpriza e trajnerit Reja, i cili, duke pasur si synim të vetëm fitoren, hodhi në fushë një formacion më sulmues se herët e tjera. Manaj dhe Cikalleshi ishte dyshja e preferuar e sulmit për italianin, ndërsa Uzuni u pozicionua në të majtë të mesfushës, por kuptohet më tepër në ndihmë të sulmit. Gjasula në stol dhe Memushaj e Abrashi titullarë në qendër, Hysaj në të djathtë dhe në mbrojtje treshja që ishte parashikuar, e përbërë nga Gjimshiti, Veseli dhe Ismajli.
Cikalleshi gjen shpejt avantazhin. Kavajasi e dërgon topin në rrjetë me kokë, pas një krosi preciz të Memushajt. Pas 23 minutash lojë, Shqipëria udhëheq 2-0. Ismajli shënon golin e parë si kuqezi, por Kazakistanon befason me një gol të rrallë direkt pas golit të dytë të Shqipërisë. Abilek gjuan direkt në portë nga mesi i fushës, duke parë edhe daljen e Berishës, që detyrohet ta nxjerrë topin nga rrjeta. Një goditje për skuadrën tonë, së cilës i duhen disa minuta ta kalojë. Uzuni ka në këmbë golin e tretë, por bën zgjedhjen e gabuar i vetëm përballë portierin kazak, duke gjuajtur shumë keq.

Në pjesën e dytë trajneri Reja merr masat për të siguruar fitoren. Gjasula merr vendin e Kallakut e më pas Doka zëvendëson Uzunin, duke bërë që Hysaj të spostohet në të majtë. Amir Abrashi, një nga më të mirët në fushë, këmbëgul duke mos kursyer asgjë nga vetja dhe fiton një penallti, që kthehet në gol nga Manaj. Kuqezinjtë fitojnë siguri dhe më pas qarkullojnë topin me më shumë besim në vetvete.
Shqipëria mund të shënonte edhe golin e katërt, nëse Manaj dhe Cikalleshi nuk do të tregoheshin egoistë në disa raste. Një rast të artë ka edhe Hysaj, pas pasit të Dokës, por shkodrani bllokohet nga portieri kundërshtar. Në fund disa minuta për Balajn, Seferin dhe Selahin te kuqezinjtë, të cilët i gëzohen një fitoreje të merituar ndaj një kundërshtari shumë agresiv.

Shqipëri-Kazakistan 3-1
Shënues: Cikalleshi 16’, Ismajli 23’, Manaj 62 (penallti) / Abilek 25’
Shqipëria: Berisha, Veseli, Ismajli, Gjimshiti, Hysaj, Abrashi, Memushaj (Selahi 87’), Kallaku (Gjasula 53’), Uzuni (Doka 68’), Manaj (Balaj 86’), Cikalleshi (Seferi 86’). Trajner: E.Reja
Kazakistani: Pokatilov, Alip, Vorogovski, Maroçkin, Kerimzhanov, Kuat, Bejsebekov, Abiken, Sujumbajev, Shetkin, Aimbetov. Trajner: M.Bilek
Arbitër: J.Fernandez (Spanjë)
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




