Kanë mbetur edhe 120 minuta nga fundi i Ligës së Kombeve. Shqipëria mban vendin e tretë në Grupin 4 të Ligës C, por ka shanse reale për vendin e parë. Kuqezinjtë, me dy fitore të mundshme në dy ndeshjet që do të luajnë në “Air Albania Stadium” do të realizonin objektivin në këtë kompeticion, çka vendos njëkohësisht edhe për të ardhmen e trajnerit Edi Reja.
Sot, në orën 18:00, ndaj Kazakistanit luhet akti i parë i sprintit final, ku vetëm fitorja e mban në lojë Shqipërinë. Bjellorusia është 2 pikë para dhe sot luan në fushën e saj me Lituaninë. Nëse fitojnë si kuqezinjtë, ashtue dhe bjellorusët, gjithçka vendoset në ndeshjen e fundit, më 18 nëntor në Tiranë.

Trajneri Reja e di mirë se pikët janë jetike dhe për këtë arsye ka zgjedhur të mos rrezikojë aspak. Ka mungesa të rëndësishme, si Strakosha, Kumbulla, Roshi, Bare, Dermaku e të tjerë, megjithatë alternativat nuk i mungojnë. Ai do të mbështetet si zakonsiht te skema 3-5-2, ku dilemat janë për mesfushorin e majtë dhe partnerin e Cikalleshit në sulm.
Në mbrojtje situata është e qartë, me Gjimshitin, Veselin dhe Ismajlin para portierit dhe kapitenit Etrit Berisha. Abrashi dhe Memushaj, dy nga titullarët e Euro 2016, do të udhëheqin skuadrën në mesfushë me përvojën e tyre. Reja ka thirrur këtë herë vlonjatin, një lojtar që punon mirë me topin, aq më shumë kur mungon edhe Bare. Memushaj po ashtu është një ekzekutues i mirë i goditjeve standarde. Mesfushori i tretë i qendrës pritet të jetë Gjasula.

Pozicioni i Hysajt varet nga zgjedhja që do të bëjë trajneri Reja për sulmin. Nëse italiani zgjedh Uzunin në krah të Cikalleshit, Hysaj do të pozcionohet në të majtë dhe në të djathtë do t’i linte vendin Dokës, i cili u paraqit mirë me Kosovën. Nëse së sulm luajnë Cikalleshi dhe Manaj, atëherë Uzuni kalon në të majtë të mesfushës dhe Hysaj kthehet në vendin e tij në të djathtë. Këto janë dilemat e trajnerit Reja për ndeshjen e sotme, ku objektivi i vetëm është fitorja.
Formacioni i mundshëm i Shqipërisë
Berisha
Ismajli Gjimshiti Veseli
Hysaj Abrashi Gjasula Memushaj Uzuni
Cikalleshi Manaj
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




