Shqipëria luan nesër ndeshjen e pestë në grup në Ligën e Kombeve, përballë Kazakistanit. Kapiteni i Kombëtares, Etrit Berisha, doli ditën e sotme në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Edi Reja, ku u shpreh se ky takim do të jetë kyç për rrugëtimin e Shqipërisë.
Kosova- Sigurisht që çdo fitore të jep besim dhe motivim për të fituar me Kazakistanin. Kosova kishte rëndësinë e vet, por jo sa këto dy ndeshjet e Nations League. Jemi të përqendruar te sfida e radhës. Me Kosovën pati rotacion dhe djemtë bënë një ndeshje të mirë. Në të ardhmen Reja mund të ketë më shumë vështirësi për formacionin. Jemi të kënaqur si grup dhe duam që të fitojmë sfidat e radhës.
Shiriti i kapitenit- Nuk ndryshon asgjë, pasi unë jap gjithmonë maksimumin. Nesër na pret një ndeshje e rëndësishme. Kemi lojtarë me eksperiencë dhe të ri që po bëjnë mirë.
Ndeshja– Nuk kemi presion, është ndeshje e rëndësishme. Mendojmë se jemi një ekip më i mirë se Kazakistani dhe po e përgatisim ndeshjen në mënyrën më të mirë, ndaj nuk kemi presion. E njohim kundërshtarin dhe fakti që luajmë në shtëpi do na ndihmojë më shumë. Shpresojmë të mos kemi probleme.
Patëm paraqitje të mirë atje, kishim raste të pastëra shënimi. Po t’i shënonim, do flitej ndryshe. Unë mendoj se ekipi reagoi mirë, duke krijuar raste, por mungoi goli. Ekipi reagoi mirë, sidomos në mbrojtje. Mungoi vetëm goli. Tani jemi në shtëpi, janë kthyer edhe disa lojtarë. Këtë herë duhet të tregohemi më konkretë.
Kazakistani është ekip i organizuar në mbrojtje dhe luan me kundërsulme. Jemi të përgatitur mirë dhe do mundohemi të shfrytëzojmë mundësitë dhe gabimet e tyre. Nuk ka ndeshje të lehta, trajneri e ka përgatitur në mënyrën më të mirë të mundshme”, përfundoi Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




