Kombetarja

Balaj dhe Ramadani “premtojnë” dy fitore dhe vendin e parë

Bekim Balaj dhe Ylber Ramadani, të dy titullarë në miqësoren me Kosovën, ishin dy lojtarët e përzgjedhur për konferencën e sotme të shtypit. Shkodrani, autor i golit të parë në fitoren 2-1 në vëllazërore, ka theksuar mes të tjerash se Kombëtarja është në gjendje t’i fitojë dy ndeshjet e Ligës së Kombeve me Kazakistanin dhe Bjellorusinë.

“Është kënaqësi gjithmonë të shënosh për Kombëtaren. Testi me Kosovën ishte serioz dhe ndihemi gati për dy sfidat e radhës me Kazakistanin dhe Bjellorusinë. Miqësoret para sfidave zyrtare janë gjithmonë të rëndësishme, pasi sheh çfarë duhet të ndryshosh, sheh formën e lojtarëve. Jemi të gjithë për një qëllim në Kombëtare, të arrijmë fitoren, pastaj se kush luan, e vendos trajneri.

Jemi mësuar të surprizojmë me rezultatet tona. Ekipi është rritur dhe duke ditur nivelin e kundërshtarëve, e kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë. Ndoshta ndihet pak presioni, sepse duhet të fitojmë në këto ndeshje”, tha Balaj mes të tjerash.

Kuqezinjtë festojnë golin e Balajt ndaj Kosovës. Gazeta Si, 12 nëntor 2020

Kurse Ramadani, 90 minuta në fushë të mërkurën, u shpreh: “Të dyja ndeshjet janë të rëndësishme, sepse objektivi ynë është vendi i parë, që kërkon dy fitore. Mungesat mund të na penalizojnë, por mendoj se edhe ne lojtarët që jemi mund të bëjmë maksimumin për dy ndeshjet që kemi përpara. Kam ardhur për të luajtur dhe dua të jap maksimumin, zgjedhjet i bën trajneri. Ka rëndësi që të jem këtu.

Duhet t’i marrim ndeshjet shumë seriozisht, njërën pas tjetrës. Kam besim se do t’i fitojmë të dyja ndeshjet. Kemi lojtarë të mirë, mund t’i zëvendësojmë ata që na mungojnë. Secili mund të zëvendësojë gjithkënd. Mund të luajmë me njëri-tjetrin pa problem, kemi disa vite që luajmë bashkë. Kosova ka lojtarë të mirë, por ne dje luajtëm shumë mirë. Ishim seriozë në fushë dhe bëmë një ndeshje shumë të mirë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë